Burkina Faso, rritet në 160 numri i personave që humbën jetën në sulmin terrorist

Është rritur në 160 numri i personave që humbën jetën në sulmin terrorist në një fshat në veri të Burkina Faso-s, transmeton Anadolu Agency (AA).

Sipas informacioneve të marra nga burimet e sigurisë, është rritur në 160 numri i personave që humbën jetën në sulmin terrorist natën mes të premtes dhe të shtunës në fshatin Yaghga në rajonin Sahel në veri të vendit.

Ka shqetësime se numri i të vdekurve mund të rritet për arsye se ka shumë të plagosur rëndë.

Duke filluar që nga e shtuna në vend është shpallur ditë zie kombëtare për 3 ditë ndërkohë që shumë organizata ndërkombëtare e kanë dënuar sulmin.

Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, Antonio Guterres e ka dënuar sulmin duke cilësuar si të “ulët” dhe i ka bërë thirrje komunitetit ndërkombëtar që të rrisë mbështetjen e tij për shtetet që luftojnë kundër terrorizmit në rajon.

Bashkimi Evropian në një deklaratë dënoi në mënyrën më të fuqishme si asnjëherë më parë këtë sulm “barbar” dhe përsëriti mbështetjen për Burkina Faso-n në luftën kundër terrorizmit.

Gjithashtu edhe presidenti i Bregut të Fildishtë, Alassane Ouattara e ka dënuar sulmin dhe ka dhënë mesazhin e solidarizimit me Burkina Faso-n.

Burkina Faso, shpeshherë bëhet shenjestër e sulmeve terroriste që organizojnë grupet e lidhura me Al Kaedën e cila operon në rajonin Sahel.

Sipas të dhënave të OKB-së, 1.1 milionë njerëz janë detyruar të zhvendosen brenda vendit për shkak të sulmeve që kanë në objektiv civilët dhe ushtarët. /aa