Burrat e shtetit dhe agjentët

Korab Blakaj

Në jetën politike shqiptare, dy figura dallohen qartë: burri i shtetit dhe agjenti. I pari është ndërtues, i dyti shkatërron. Burri i shtetit e lidh emrin e tij me të ardhmen e kombit, agjenti e shet kombin për të shpëtuar të tashmen e tij personale.

Ky kontrast është themelor për të kuptuar pse shqiptarët kanë ecur ngadalë drejt shtetformimit dhe pse shpesh kanë qenë peng i interesave të huaja.

Burrat e shtetit janë vizionarë. Ata nuk e masin politikën me afate zgjedhore, por me përmasa historike.

Ndër cilësitë e tyre kryesore numërohen;vizioni afatgjatë, që u mundëson të marrin vendime që i shërbejnë gjeneratave, jo xhepave të tyre, morali politik, që u mundëson të qëndrojnë mbi korrupsionin dhe nuk lejojnë që interesi personal të zëvendësojë interesin kombëtar, sakrifica personale , që u mundëson të jenë të gatshëm të humbin pushtetin,rehatinë dhe madje jetën për t’i qëndruar besnik kombit, kanë autoritet shpirtëror , dmth nuk janë thjesht politikanë, por udhërrëfyes që masa kombëtare i sheh si shembuj, dhe shquhen për vendimarrje burrërore, që në kohë krizesh, ata nuk fshihen pas justifikimeve, por marrin përgjegjësi.

Në historinë shqiptare, figurat që i afrohen këtij modeli janë të pakta, por të paharrueshme.Ata ndërtuan themelet e pavarësisë, mbrojtën jetën, territorin, gjuhën dhe kulturën, dhe sakrifikuan për lirinë kombëtare.

Në anën tjetër, politika shqiptare është e mbushur me agjentë ; individë që luajnë rolin e politikanëve, por në thelb janë përfaqësues dhe ndërmjetës të interesave të huaja.

Ndër cilësitë e tyre dalluese janë:servilizmi, pra nuk kanë dinjitet personal, sepse e kanë zëvendësuar atë me nënshtrim ndaj ambasadave e shërbimeve të huaja, korrupsioni i shfrenuar, tregues i të cilit është pasuria e tyre që rritet në përpjesëtim të kundërt me varfërimin e popullit, maskimi patriotik, kur flasin me slogane kombëtare për të mbuluar marrëveshjet e errëta që bëjnë në prapaskenë, i shquan pragmatizmi i ulët , i cili u vërtetohet me vendimet që nuk synojnë të ardhmen e kombit, por të sotmen e tyre: tenderët, privilegjet, sigurinë personale, njihen si fragmentar , që për interesa të huaja, shpikin ndarje të reja mes shqiptarëve, duke dobësuar unitetin kombëtar, dhe kanë varësi psikologjike të rënda sepse janë aq të lidhur me qendrat e huaja të fuqisë, sa nuk dinë të marrin vendime pa “urdhër” apo “bekim” nga jashtë.

Fatkeqësisht , historia jonë moderne është kryesisht një histori e dominimit të agjentëve mbi burrat e shtetit.

Kjo shpjegon më së miri pse shteti shqiptar shpesh duket i brishtë, ose pse Kosova mbetet nën trysni të vazhdueshme dhe pse bashkimi shpirtëror e politik i kombit ende është i vonuar.

Çdo herë që burra shteti janë ngritur, ata janë sabotuar, përbaltur apo eliminuar , sepse agjentët, si zgjatime të fuqive të huaja, kanë pasur përkrahje të madhe ndërkombëtare dhe një aparat të brendshëm propagandistik për t’i goditur burrat e shtetit.

Prandaj; kush sakrifikon për kombin është burrë shteti, kush fiton mbi kurrizin e kombit është agjent. Pa këtë ndarje, politika shqiptare do të mbetet peng i sharlatanëve që, në emër të demokracisë dhe integrimit, kanë shitur sovranitetin dhe dinjitetin kombëtar.

Korab Blakaj