Cakaj largon nga puna mbi 20 diplomatë

Ministri i Jashtëm në detyrë Gent Cakaj në një konferencë për shtyp ka lajmëruar largimin nga puna të më shumë se njëzetë punonjësve të shërbimit diplomatik. Cakaj tha se ata nuk përmbushin kushtet minimale të detyrave që mbanin.

“Kam vendosur të shkëpus marrëdhënien me një pjesë të punonjësve që nuk mbushin as kushtet minimale për kryerjen e kësaj detyre, e jo më ambicien për ta çuar në lartësinë e merituar përfaqësimin e Shqipërisë. Një pjesë tjetër e punonjësve do të transferohen menjëherë për të punuar sipas nevojave reale të punës. Numri i të prekurve nga kjo reformë do të shkojë mbi njëzetë”, tha Cakaj.

Ky vendim vjen një ditë pasi kryeministri Edi Rama u bëri thirrje studentëve ekselentë të aplikojnë për t’u bërë pjesë e shërbimit diplomatik, në reformimin e thellë që do t’i bëhet sektorit. Ftesën e përsëriti sot edhe Cakaj.

“Ne kemi gati thirrjen publike për aplikimin për vakancat e krijuara nga kjo valë pastrimi në shërbimin tonë diplomatik. Shqipëria nuk është e miqve, e kushërinjve apo e klaneve, por meriton të përfaqësohet nga më të dalluarit”, u shpreh ai.

Nisma reformimin e shërbimit diplomatik vjen disa ditë pasi u zbulua se një shtetas indian, i dënuar për mashtrim në vendin e tij, jo vetëm që kishte marrë pasaportën shqiptare por ishte emëruar edhe Konsull Nderi i Shqipërisë në Nigeri, detyrë nga e cila u lirua ditën e djeshme./Opinion.al