Çavuşoğlu: FETO është një kërcënim dhe rrezik shumë serioz për Kosovën

Ministri i Jashtëm i Turqisë, Mevlüt Çavuşoğlu deklaroi se bashkëpunimi mes Turqisë dhe Kosovës rreth luftës kundër organizatës terroriste FETO duhet të vazhdojë, raporton Anadolu Agency (AA).

Çavuşoğlu pas takimit të tij me kryediplomaten e Kosovës, Meliza Haradinaj-Stublla zhvilluan një konferencë të përbashkët për media.

Ai tha se Turqia vazhdon kontaktet me Kosovën edhe në periudhën e pandemisë së koronavirusit të ri (COVID-19), duke shtuar se dëshiron të vizitojë Kosovën, shkurt kohë pasi të zhvillohen zgjedhjet në këtë vend.

Çavuşoğlu theksoi se në takimin me homologen e tij kanë trajtuar marrëdhëniet bilaterale në çdo fushë. “Marrëdhëniet tona ekonomike po avancojnë por mund ta çojmë edhe më tej, ka mundësi për këtë. Përveç potencialit të të dyja vendeve, marrëveshja e tregtisë së lirë që nënshkruam në 2019 është një avantazh i madh për ne”, u shpreh ai.

Ai tha se në tregtinë bilaterale, vërehet një deficit për Turqinë, duke theksuar se kanë biseduar se çfarë mund të bëjnë për të balancuar këtë, do të vazhdojnë të inkurajojnë së bashku kompanitë që t’i rrisin investimet turke në Kosovë, si dhe cilat hapa nevojiten për të zhvilluar industrinë e mbrojtjes dhe bashkëpunimin ushtarak.

Kryediplomati turk në lidhje me memorandumet e mirëkuptimit të nënshkruar mes Turqisë dhe Kosovës, tha se do të jenë në një bashkëpunim të afërm për shkëmbimin dhe trajnimin e diplomatëve si dhe do të përforcohen lidhjet mes Ministrive të Jashtme të të dyja vendeve.

Procesi i dialogut Serbi-Kosovë

Çavuşoğlu, ndër të tjerat theksoi se që nga dita e parë e shpalljes së pavarësisë, Turqia ka bërë shumë përpjekje për njohjen e Kosovës dhe se këto përpjekje do të vazhdojnë, ndërsa vendi i tij do të vazhdojë të ofrojë mbështetjen e mundur që Kosova të marrë statusin e duhur pranë organizatave ndërkombëtare.

Sipas tij, Turqia, gjithashtu mbështet edhe integrimin e Kosovës në institucionet euro-atlantike, gjë e cila do të japë kontribut të rëndësishëm në stabilitetin dhe qetësinë e rajonit.

Ai tha se Turqia që nga fillimi është duke mbështetur procesin e dialogut Serbi-Kosovë, që u iniciua për rritjen e stabilitetit të rajonit. “Si një vend me marrëdhënie të mira me të dyja palët, mundohemi të kontribuojmë. Si Turqi, dëshirojmë që bashkë me zbatimin e plotë të pajtimeve të arritura dhe marrëveshjeve të nënshkruara, të vendoset sa më shpejtë dialogu në mënyrë të përhershme mes dy vendeve”, tha Çavuşoğlu.

Çavuşoğlu gjithashtu rikujtoi se në Kosovë është marrë vendim për zgjedhje të parakohshme dhe se kuvendi i ri do të zgjedh edhe presidentin e ri. “Kosova deri më sot ka zhvilluar zgjedhje demokratike. Ka një sistem gjithëpërfshirës. Siç e dini në Kosovë kemi edhe bashkëkombas. Ata nuk u ndjenë kurrë të përjashtuar në këtë sistem. Ne nuk kemi dyshim se këto zgjedhje do të bëhen me të njëjtin kuptim. Ne dëshirojmë sukses në këto zgjedhje si vend”, tha ai.

Mes tjerash, Çavuşoğlu theksoi se kompanitë turke në Kosovë sigurojnë punësim për 10.000 persona, duke deklaruar se synojnë të rrisin këtë numër në të ardhmen.

“(FETO) është një kërcënim dhe rrezik shumë serioz për Kosovën”

Çavuşoğlu në lidhje me praninë e FETO-s në Kosovë tha se “Ka pasur disa hapa që Kosova ka ndërmarrë në të kaluarën, ne gjithashtu kemi bashkëpunuar. Prandaj e shohim se sa e sulmojnë Kosovën për këtë. Por, ky bashkëpunim duhet të vazhdojë”.

Turqia, sipas tij, praninë e një organizate terroriste që ka kryer tentativë për grusht shteti në vend, nuk dëshiron ta shohë në një vend vëllazëror.

“FETO me praninë e saj në Kosovë ndoshta nuk mund të dëmtojë shumë Turqinë por është një kërcënim dhe rrezik shumë serioz për Kosovën. Duhet të nxirret ky strukturim nga Kosova. Ne gjithashtu e dimë se nuk është aq e lehtë kjo. Sepse, ashtu si në Turqi, ne po shohim se kanë infiltruar në të gjitha institucionet nëpërmjet arsimit, ashtu si në Turqi. Nga ana tjetër, ne e dimë disa shtete janë duke e mbështetur këtë rrjet, këtë organizatë terroriste, kjo nuk është sekrete”, tha Çavuşoğlu duke shtuar se:

“Por, kjo është shumë e rëndësishme për të ardhmen e Kosovës. Ne sot, jemi duke mbështetur Kosovën me sfidat tjera të cilat po përballet. Në lidhje me tjerët mund të gjendet zgjidhje sot, nesër por nëse sot nuk merren masa ndaj kësaj organizate terroriste, kam frikë se nesër do të jetë shumë vonë. Ato që kanë ndodhur në Turqi, sot edhe një herë ia shpreha zonjës ministre. Gjithashtu u shpreha edhe në lidhje me pritjet tona”.

Duke theksuar se ndihma humanitare dhe zhvillimore e Turqisë do të vazhdojnë në Kosovë, Çavuşoğlu tha se vlera totale e projekteve të TIKA-s në vend deri më tani ka shkuar në mbi 100 milionë dollarë.

“Turqia gjatë periudhës së pandemisë së COVID-19 i ka siguruar dy herë ndihma mjekësore Kosovës vëllazërore”, tha Çavuşoğlu duke potencuar se me homologen e tij kanë diskutuar se si mund të bashkëpunojnë në lidhje me vaksinën.