Çavuşoğlu: Turqia e vetme anëtare e NATO-s që lufton DEASH-in në vijën e frontit

Çavuşoğlu foli për të përditshmen italiane ‘Messaggero’, para “Takimit ministror të koalicionit për të mposhtur DEASH-in”, që po zhvillohet në Romë të Italisë.

Kryediplomati turk tha se vendi i tij “që nga fillimi ka qenë një anëtar aktiv i koalicionit kundër DEASH-it dhe i vetmi anëtar i NATO-s që lufton kundër DEASH-it në vijën e frontit”.

“Pavarësisht tërheqjes së tij, DEASH akoma është një kërcënim”, tha Çavuşoğlu.

Ai tha se Ankaraja ka neutralizuar mbi 4.500 terroristë të DEASH-it dhe ka parandaluar ndihmën financiare që mund t’i shkonte organizatës terroriste.

Duke iu referuar ndihmës së SHBA-së për grupin terrorist YPG/PKK në Siri, Çavuşoğlu tha se disa metoda të përdorura në luftën kundër DEASH-it kishin disa gabime.

“Lufta kundër një grupi terrorist nuk duhet t’i lihet në dorë një grupi tjetër terrorist. PKK/YPG-ja dhe të ashtuquajturat ‘Forcat Demokratike Siriane (SDF)’ janë zgjerime të PKK-së në Siri. PKK/YPG-ja ka nevojë që DEASH-it të ruajë rëndësinë e vet dhe po përfiton nga prania e DEASH-it”, tha Çavuşoğlu.

Ai theksoi se në kundërshtim me atë që është thënë deri më tani, kërcënimi i DEASH-it po vendos rrënjë më të thella në Siri dhe shtoi se PKK/YPG-ja po liron terroristët e DEASH-it nga kampe nën kontrollin e saj në këmbim të përfitimit financiar.

“Një strategji e vërtet që duhet të adresojë shkaqe të thella, të sigurojë një ndarje efektive të inteligjencës dhe të fillojë partneritet të mirëfilltë me aktorë të ligjshëm. Takimi ministror, i mbajtur në Romë, do të japë një mundësi për të vlerësuar luftën tonë kundër terroristëve dhe për të diskutuar kursin që do të ndiqet”, tha Çavuşoğlu.

Sipas ministrit turk, një Siri e qëndrueshme dhe e prosperuar është në interes të Turqisë, si një fqinj.

“Paqëndrueshmëria aktuale krijon një mjedis të favorshëm për grupet terroriste. Ato paraqesin një kërcënim për sigurinë e Sirisë, si dhe për sigurinë e rajonit dhe më gjerë”, u shpreh ai.

Libia

Duke folur për Libinë, Çavuşoğlu tha se qëllimi kryesor i Turqisë në Libi është të ndihmojë autoritetet legjitime libiane në përpjekjet e tyre për të garantuar stabilitet, siguri, unitet dhe prosperitet të këtij vendi.

Duke u përgjigjur në pyetjen nëse Turqia dhe Italia po punojnë së bashku për Libinë, Çavuşoğlu tha se kanë qenë gjithmonë në kontakt dhe bashkëpunim të ngushtë me Italinë për Libinë.

“Si aleatë të NATO-s dhe bashkë-kryesues të grupit punues të sigurisë, ne mund të punojmë së bashku në fusha të ndryshme për të konsoliduar kapacitetet institucionale dhe për prosperitetin e Libisë. İtalia është partneri dhe aleati ynë strategjik. Turqia qëndroi pranë Italisë në ditët më të errëta të shpërthimit të virusit COVID-19. Për shkak të zhvillimeve dhe sfidave të fundit në Mesdhe, bashkëpunimi midis Italisë dhe Turqisë është bërë jashtëzakonisht i rëndësishëm për sigurinë dhe stabilitetin e rajonit”, tha Çavuşoğlu.

Forumi G-20 dhe Forumi i Diplomacisë së Antalya-s

Duke folur për forumin ndërqeveritar G-20, që përfshin 19 vende dhe Bashkimin Evropian (BE), kryediplomati turk tha se blloku ka ndërmarrë disa hapa konkrete për të trajtuar ndikimet ekonomike të shpërthimit të pandemisë COVID-19.

Çavuşoğlu tha se forumi G-20 është jashtëzakonisht i rëndësishëm përballë sfidave globale dhe se i duhet një qasje e orientuar drejt veprimit dhe përfshirjes për rezultate konkrete.

Çavuşoğlu po ashtu u pyet për Forumin e Diplomacisë së Antalya-s, që u mbajt më 18-20 qershor në qytetin turistik mesdhetar të Turqisë, Antalya.

“Forumi i Diplomacisë i Antalya-s synon të dëgjojë ide të reja dhe qasje të reja në platformën ndërkombëtare përball problemeve të ndryshme globale. Na duhet ide krijuese dhe inovative për të gjetur zgjidhje për problemet tona globale dhe rajonale”, u shpreh ai.

Duke kujtuar se forumi u mbajt në Patara, shtëpia e parlamentit të parë demokratik në botë, Çavuşoğlu theksoi se falë ekosistemit të krijuar nga forumi, në forum u diskutuan detaje mbi qasje të ndryshme në diplomaci dhe ide të reja. /aa