Çelësat e fshehtësive

Edin Tule

Allahu i madhërishëm në Kuranin fisnik urdhëron e thotë:
“Karuni ishte nga populli i Musait dhe ai e shtypte atë popull ngase Ne i patëm dhënë aq shumë pasuri saqë një grup i fuqishëm mezi bartnin çelësat e (pasurisë së) tij, e kur populli i vet i tha: “Mos u kreno aq fortë sepse All-llahu nuk i do të shfrenuarit!“ (1)

Informacionin e përmendur mund ta shikojmë nga këndvështrime të ndryshme dhe varësisht nga këto të vërejmë gjërat e ndryshme.(2)
Në versetin e lartëpërmendur, Krijuesi na sjell shembullin e një personi inteligjent ekonomikisht në Kuran, duke tërhequr vëmendjen në strategjinë e veçantë ekonomike të personit. Ky hebre i pasur me emrin Karun, ishte i afërt me Musain a.s. sipas gjakut, larg nga ideologjia, por me një dozë të caktuar të zgjuarsisë dhe përgatitjes financiare.(3)
Inteligjenca ekonomike është shpesh meritore në organizimin kualitativ të jetës moderne, duke marrë parasysh që bile kualiteti i ajrit që e thithim, bukuria e shikimit në të cilën kënaqemi është e lidhur me standardin tonë ekonomik.
Karakteristika kryesore e njerëzve ekonomikisht jointeligjent/sistemit është që kërcënimet financiare afatgjata zgjidhen me strategjitë afatshkurtëra të gjykuara kështu në ekzistencë boshe.(4)
Duke na lajmëruar për standardin lakmues ekonomik të një personi, Allahu i madhërishëm shfrytëzon formulacionin tejet interesant dhe me mjeshtëri aktivizon fantazinë e lexuesit, duke na vizualizuar një grumbull çelësash të cilët me peshën e tyre seriozisht do ta ngarkojnë grupin e njerëzve të fuqishëm.(5)

Kurani dhe programimi neurolinguistik (PNL)

Dega e re e psikologjisë, programimi neurolinguistik (PNL), na mëson që më së miri janë të dizajnuara ato informata që prekin sa më shumë sisteme të shqisave, ngase kjo është rruga më e mirë për maksimalizimin e kapacitetit mendor dhe deponimin afatgjatë të informatave.(6)
Pasqyrimi i grumbullimit të çelësave që me shumicën e tyre sjellin deri te kufijtë fizik të dhjetë bartësve të fuqishëm, prek së paku tre sisteme shqisore: vizuel, kinestetik dhe sistemin auditiv, duke programuar me mjeshtëri në mendjen njerëzore ndjenjën shokuese për pasurinë materiale të paparashikuar e cila ndal frymën.(7)
Por jo vetëm kjo. Le të përpiqemi të llogarisim përafërsisht sa çelësa kanë qenë.
Allahu i madhërishëm në tekstin origjinal arab, kur përshkruan numrin e bartësve të çelësave, shfrytëzon shprehjen “usbeh” e cila sipas linguistëve paraqet numrin nga dhjetë deri në dyzet.(8)
Nëse marrim numrin minimal prej dhjetë njerëzish dhe nëse dimë që njeriu i fuqishëm i kohës sonë (ndërsa më parë njerëzit kanë qenë më të fuqishëm) mund të bart njëqind kilogram, arrijmë te numri minimal prej njëmijë kilogram çelësa. Por, kjo është tejet shumë çelësa duke marrë parasysh që çelësat në atë kohë janë bërë kryesisht nga lëkura e devesë apo lopës, ndërsa komentuesit klasik theksojnë se kanë qenë me trashësi gishti.

Sistemi i fondeve dhe investimeve

Pyetja në vijim që e bëjmë është se si Karuni gjindej në këtë përmbytje të çelësave dhe a thua nuk do ta kishte më lehtë që thesarin e vet ta vendos në një hapësirë pas dyerve të blinduara që në mes tjerash të mos harxhojë kohë për sistematizimin e çelësave dhe në ruajtjen e tyre meqë tërësisht sigurisht nuk i ka bartur me vete?! Një ton çelësa kërkon shënimin e të njëjtëve dhe kategorizimin me qëllim të gjeturisë më të lehtë në këtë shumicë.
Cila fshehtësi qëndron në ndarjen e pasurisë në shumicë të madhe të sefëve më të vegjël, sirtarëve, dhomave, fondeve?(9)
Konstanta e vetme e kësaj bote është lëvizja dhe ndryshimi. Ashtu sikur që freskia e elementeve themelor të jetës, ujit dhe ajrit është në lëvizje, poashtu edhe freskia dhe rritja e kapitalit financiar është në qarkullimin e tij. Ndarja e pasurisë në shumë fonde ndihmon në organizimin e vetë mendimeve reale në fushën e investimeve, duke e bërë njeriun, por edhe kombin ekonomisht përgjegjës.(10)
Ruajtja e pasurisë materiale vetëm në letër dhe vetëm në një vend duket që e njëjta pa u ndier shpejtë harxhohet në nevojat ekzistenciale më themelore. Thënë “thjesht”, personi i cili i ka pesë mijë euro kapital në njërin xhep të palltos dhe nga këtu harxhon të hollat për nevojat e përditshme, nuk do të ketë mendime të organizuara dhe as perspektivë ekonomike sikur personi i cili të njëjtën shume e ndan në pesë apo dhjetë pjesë të ndryshme, duke menduar në çfarë të investojë çdo pjesë të hollave në veçanti dhe si ta bëjë “të gjallë” dhe të lëvizshëm.

Mësimet dhe mesazhet:

a) Të fusim koncepte të kursimit paralel, investime në shumë fonde duke filluar nga mosha më e re (fëmijët) e deri te nivelet më të larta (xhemati, firma, shteti, etj.);
b) Personat që nga mosha më e re të kenë kasën e veçantë të kursimit për libra, kasën e veçantë për udhëtime, kasën e veçantë për kurset e gjuhëve të huaja, kasën e veçantë për mjete teknike atraktive, etj. Do t’i kenë edhe mendimet e rregulluara në pikëpamje të prioriteteve jetësore, andaj edhe vlera e pasurisë që e arrin do të shikohet në sasinë e librave që blejnë për të, numrin e udhëtimeve të pasura me përvojë, gjuhëve të mësuara, etj. (e jo p.sh. në kilogramit e miellit);
c) Kërcënimet afatgjata do të mbizotërohen nëpërmes investimeve në strategji afatgjata;
d) Të hulumtohen modelet e drejta të komunikimit verbal dhe të shkruar që i kemi imituar dhe të mbizotërohen ligjet e të folurit nxitës dhe bindës;
e) Mos të merret të folurit lehtë;
f) Të shfrytëzohen njëtrajtshëm sistemet shqisore personale dhe adresohen sisteme tjera shqisore;
g) Lëvizja e drejtë (fizike, intelektuale, ekonomike, etj.) është garancë e vendit më të bukur për jetë;
h) Gjërat më të bukura për kuptimet e Kuranit tek duhet të thuhen.

______________
1. El – Kasas, 76
2. Një thënie thotë që njeriu vështirë mund të jetë ekonomist i mirë nëse është vetëm ekonomist e asgjë tjetër. Njëjtë vlen edhe për çfarëdo disiplinë tjetër qoftë edhe për komentimin e teksteve të shenjtë.
3. Në komentet klasike të Kuranit ekzistojnë mendime të shënuara në pikëpamjet e prejardhjes së pasurisë së Karunit dhe supozohet që e njëjta është trashëguar ose e grabitur me dinakëri, pasi që shumë njerëz pajtohen me faktin se Zoti u jep të gjithëve në këtë botë, pavarësisht nga ideologjia, të cilët kuptojnë faktorët e suksesit.
4. Shembulli i kërcënimeve afatgjata janë: tatimi i rregullt financiar, zgjidhja afatshkurtër në situatën e përmendur janë çfarëdo punë fizike, ndërsa strategjia afatgjatë është arsimimi konstant dhe zhvillimi i profesioneve konkrete.
5. Në Kuran ka shumë mënyra interesante të formulimit të informacioneve që kanë për qëllim ngacmimin e fantazisë së lexuesit, afrim të urtë të vetë konkluzioneve, përfshierje në tërë rrëfimin, aktivizimin e qelizave nervore, etj. Një shembull i tillë është theksimi i numrit të vjetëve që Nuhu a.s. i kaloi te populli i tij në mënyrën sa vijon: “. . . e ai kaloi ndër ata një mijë pa pesëdhjetë vjet . . . “ (El – Ankebutë, 14) (Konkluzion i cili jehon në kokat tuaja?!)
6. Kështu p.sh. më së miri mbahet mend ajo materie gjatë shtjellimit së cilës kemi përdorur më shumë shqisa (p.sh. leximi me zë, përcjellja me gisht e asaj që lexohet, leximi në natyrë me qëllim të asocimit të leximit me aromë konkrete, etj.).
7. Kurani është i bollshëm me citatet që kënaqin të gjitha ligjet e programit neurolinguistik dhe si të tillë nxisin dhe ndërtojnë aparatin tonë mendor me lënie të mjaftueshme të hapësirës për konkluzione personale.
8. Komentuesit klasik të Kuranit përmendin që fjala “usbeh” mund të paraqet numrin edhe deri në shtatëdhjetë persona. Të njëjtën fjalë “usbeh”, Allahu e përmend në kaptinën Jusuf në versetin në të cilin përshkruhet biseda në mes vëllezërve të Jusufit a.s. të cilët për vete në një moment të argumentimit thanë: “. . . e duke qenë ne grup kaq i fortë . . . “ (Jusuf, 14). Kështu ky verset mund të jetë udhërrëfyes në precizitetin e numrit të bartësve të çelësave, duke marrë parasysh që Jusufi a.s. i ka pasur dhjetë vëllezër.
9. Investimi në shumë fonde është metoda e rrezikut të redukuar, por vetëm gjatë disa dekadave të fundit realizohet në ekonominë e tregut modern.
10. Në shumë vende të BE-së, tërë sistemi ekonomik është i bazuar në sistemin e fondeve dhe shteti insiston nga qytetarët e vet që të hapin në banka fonde të ndryshme, llogari për shumë investime individuale, ndërsa e gjithë kjo udhëheq kah organizimi më i mirë i jetës ekonomike.

Nga: Edin Tule
Përktheu dhe përshtati:
Prim.dr.med.sc. Ali F. Iljazi (r.a)