Çfarë do të ndodhë me fatin e kampionatit? Zbulohet raporti dhe rekomandimet e UEFA-s

Komiteti Ekzekutiv i UEFA-s ka mbajtur sot mbledhjen e radhës përmes videokonferencës, duke u munduar të japë sqarime rreth kampionateve që i ka ndërprerë pandemia koronavirus.

Grupi Punues i Kalendarit po i shqyrton dy skenarët që parashikojnë fillimin e garave të klubeve para ndeshjeve ndërkombëtare të UEFA-s në gusht, transmeton Gazeta Olle.

UEFA ka kërkuar nga Federatat anëtare që të eksplorojnë të gjitha opsionet e mundshme për të vazhduar garat, por duke theksuar që shëndeti i lojtarëve, shikuesve dhe gjithë atyre që janë të përfshirë në futboll, mbetet shqetësimi kryesor në këtë kohë.

Skenari ideal, nëse e lejon situata pandemike, është që kampionatet që aktualisht janë të pezulluara, të luhen deri në fund në mënyrë që klubet të kualifikohen në garat e UEFA-s me merita sportive.

Nëse një gjë e tillë nuk është e mundshme, UEFA preferon që kampionatet e pezulluara të rinisin me një format të ndryshëm (Play-Off), në mënyrë që klubet të arrijnë kualifikimin me merita sportive.

Më poshtë mund t’i shihni udhëzimet në pika të veçanta nga UEFA, në lidhje me faktin se kur një kampionat mund të shpallet i mbyllur dhe mënyrën se si Federatat duhet të zgjedhin skuadrat që do të dalin në Evropë.

“Ligat mund të kenë arsye legjitime për të mbyllur kampionatet para kohe, në rastet e mëposhtme:

– Ekzistimi i një urdhri zyrtar, që ndalon aktivitetet sportive në mënyrë që kampionati aktual të mos përfundojë para një datë që do ta bëjë të mundur mbylljen e sezonit aktual në kohën e duhur, para fillimit të sezonit tjetër.

Probleme të pakapërcyeshme ekonomike, të cilat e pamundësojnë përfundimin e sezonit, pasi që do të rrezikonte qëndrueshmërinë financiare afatgjate të kampionatit dhe/ose klubeve.

– Nëse një kampionat përfundon para kohe për arsye legjitime, në përputhje me kushtet e mësipërme, UEFA do të kërkojë nga Federatat që të zgjedhin klubet për garat ndërkombëtare të edicionit 2020/21, bazuar në meritat sportive (rezultatet/renditjen) të edicionit 2019/20.

– Procedura për zgjedhjen e klubeve duhet të bazohet në parime objektive, transparente dhe jo-diskriminuese.

Federatat duhet të kenë aftësinë të vendosin pozicionet përfundimtare në garat e tyre të brendshme, duke marrë parasysh rrethanat specifike të secilit kampionat.

Përcaktimi përfundimtar i vendeve të pranueshme për garat e klubeve të UEFA-s, duke të konfirmohet nga organet përkatëse të nivelit vendor.

UEFA rezervon të drejtën të refuzojë ose vlerësojë pranimin e ndonjë klubi të propozuar nga një kampionat i ndërprerë para kohe, në veçanti kur:

Garat vendëse nuk janë përfunduar para kohe bazuar në arsyet e dhëna në udhëzimet e UEFA-s ose në bazë të ndonjë arsye tjetër të ligjshme të hsëndetit publik.

Klubet u zgjodhën në përputhje me një procedurë e cila nuk ishte objektive, transparente dhe jo-diskriminuese, në mënyrë që klubet e zgjedhura në mund të konsideroheshin se ishin kualifikuar në meritat sportive.

Ekziston një përceptim publik i padrejtësisë në kualifikimin e klubit”, njofton UEFA.