Çka kërkuan Kurti dhe Osmani nga subjektet politike

Kandidati për kryeministër të Kosovës, Albin Kurti dhe kandidatja për presidente, Vjosa Osmani, kanë përfunduar takimet konsultative me subjektet politike.

E Lëvizja Vetëvendosje përmes një njoftimi ka dhënë detaje lidhur me kërkesat e Kurtit dhe Osmanit karshi subjekteve opozitare.

Ata sipas VV-së kanë kërkuar konstruktivitet të subjekteve politike deri nëpërmjet prezencës në të tri seancat e zgjedhjes në të tri institucionet kryesore të shteti.

“Me të gjitha palët, takimet janë zhvilluar në frymë konstruktive. Përgjatë këtyre takimeve, z.Kurti dhe zonja Osmani i kanë informuar subjektet politike për përgatitjet dhe ecurinë e krijimit të institucioneve të reja, të dala nga zgjedhjet e 14 shkurtit. Në këtë kontekst, të dy kandidatët u kanë ofruar subjekteve politike bashkëpunim për çështje të interesit nacional. Ata kanë kërkuar konstruktivitet të subjekteve politike deri nëpërmjet prezencës në të tri seancat e zgjedhjes në të tri institucionet kryesore të shteti”, thuhet në njoftimin e LVV-së.

Në përmbyllje të takimeve, Kurti dhe Osmani kanë shfaqur optimizmin që ky proces të përmbyllet me sukses dhe në përputhje me vullnetin qytetar të shprehur në zgjedhjet e 14 shkurtit.

Takimet kanë nisur të në fillim të javës me kryetarë dhe përfaqësues të partive politike: PDK, LDK, AAK, KDTP, NDS, IRDK, VAKAT, PAI, SDU, LPRK, Lista Serbe, JGP dhe Romani Iniciativa.