Ish-presidenti i SHBA-së, Bill Clinton, dhe bashkëshortja e tij, ish-sekretarja e Shtetit, Hillary Clinton, refuzuan të paraqiteshin para Komitetit të Mbikëqyrjes të Dhomës së Përfaqësuesve, të kontrolluar nga Republikanët, si pjesë e hetimeve mbi Jeffrey Epsteinin, transmetn Anadolu.
“Të gjithë njerëzit duhet të vendosin kur kanë parë mjaft ose janë lodhur dhe janë gati të luftojnë për këtë vend, parimet dhe njerëzit e tij, pa marrë parasysh pasojat”, shkruan ata në një letër drejtuar kryetarit James Comer.
“Për ne, tani është koha”, kanë thënë Clintonët.
Në letrën e tyre, ata e cilësuan urdhërin për paraqitje si “të pavlefshëm”, duke thënë se i kishin siguruar Comerit deklarata të betuara të ngjashme me ato që ai kishte pranuar nga disa ish-zyrtarë të tjerë të zbatimit të ligjit, të cilëve më pas u ishte falur mosparaqitja, duke aluduar në një standard të dyfishtë.
Ata akuzuan Comerin se po ndjek një proces “të dizajnuar për të rezultuar në burgosjen tonë”, duke shtuar: “Jemi të sigurt se çdo person i arsyeshëm … do të shohë, bazuar në gjithçka që publikojmë, se ajo që po bëni është për të ndëshkuar ata që ju i shihni si armiqtë tuaj dhe për të mbrojtur ata që mendoni se janë miqtë tuaj”.
Comer tha për gazetarët jashtë sallës së komitetit se komiteti do të nisë javën e ardhshme procedurat për përbuzje ndaj Kongresit kundër ish-presidentit Clinton për mosrespektimin e një urdhri ligjor, bipartisan dhe të miratuar njëzëri nga Republikanët dhe Demokratët.
“Bill Clinton nuk u paraqit, dhe mendoj se është e rëndësishme të theksohet se ky urdhër u miratua në mënyrë bipartisan nga ky komitet. Kjo nuk ishte diçka që unë e nxora vetëm si kryetar i komitetit. U votua nga një nënkomitet i tërë në një votim unanim për të thirrur ish-presidentin Clinton dhe ish-sekretaren e Shtetit, Hillary Clinton”, tha Comer.
Ai shtoi se mbijetuesit e Epsteinit, një kriminel seksual i dënuar që vdiq në burg në vitin 2019, meritojnë drejtësi dhe përgjigje.
“Refuzimi për të respektuar një urdhër ligjor, bipartisan dhe të autorizuar nga Kongresi në hetimin tonë për Epsteinin është i papranueshëm. Askush nuk është mbi ligjin”, tha më pas ai në rrjetin social amerikan X.
– Çështje me ngarkesë politike
Në korrikun e kaluar, me votim me zë, Republikanët dhe Demokratët në Nënkomitetin Federal të Zbatimit të Ligjit miratuan njëzëri një mocion për të dhënë urdhëra për paraqitje për dhjetë individë, përfshirë Clintonët, për dëshmi lidhur me krimet e kryera nga Jeffrey Epstein dhe bashkëpunëtorja e tij, Ghislaine Maxwell, e cila mbetet e burgosur për krimet e saj.
Epstein u gjet i vdekur në qelinë e tij në burgun e Nju-Jorkut në vitin 2019, ndërsa priste gjyqin për akuza për trafik seksual. Ai kishte pranuar fajësinë në një gjykatë në Florida dhe u dënua për shfrytëzimin e një të miture për prostitucion në vitin 2008.
Viktimat e tij kanë pretenduar se ai operonte një rrjet të gjerë trafiku seksual, i përdorur nga anëtarë të elitës së pasur dhe politike.
Rasti i Epsteinit ka mbetur një çështje me ngarkesë politike në SHBA, me ligjvënës dhe avokatë të viktimave nga spektri i tërë që kërkojnë më shumë transparencë mbi rrjetin e tij të bashkëpunëtorëve dhe çdo individ që mund të ketë ndihmuar krimet e tij.
Presidenti Donald Trump ka mohuar përsëri çdo shkelje të lidhur me Epsteinin. Marrëdhëniet e tyre të mëparshme sociale dhe biznesi, si dhe lidhjet e gjera të Epsteinit me figura politike, biznesi dhe akademike në SHBA dhe jashtë saj, kanë nxitur thirrjet për publikimin e gjerë të dokumenteve zyrtare.




