Çmimet botërore të ushqimeve bien për të dhjetin muaj radhazi

Çmimet botërore të ushqimeve pësuan rënie në janar, për të dhjetin muaj radhazi dhe tani janë ulur rreth 18% nga niveli rekord i marsit të kaluar, pas pushtimit rus të Ukrainës.

Indeksi i çmimeve të Organizatës së Ushqimit dhe Bujqësisë (FAO), i cili studion mallrat ushqimore më të tregtuara në nivel botëror, ishte mesatarisht 131.2 pikë muajin e kaluar kundrejt 132.2 në dhjetor. Kjo ishte vlera më e ulët që nga shtatori 2021.

Rënia e çmimeve të vajrave bimore, qumështit dhe sheqerit ndihmoi në uljen e indeksit, ndërsa drithërat dhe mishi mbetën kryesisht të qëndrueshme.

Në përllogaritjet e ditës së premte për ofertën dhe kërkesën për drithëra, FAO rriti parashikimin për prodhimin global të drithërave në 2022 në 2.765 miliardë ton, nga vlera e mëparshme prej 2.756 miliardë tonësh.

Indeksi i çmimeve të drithërave u rrit vetëm 0.1% në janar, duke përcaktuar një rritje prej 4.8% në vit. Çmimet ndërkombëtare të grurit ranë me 2.5%, pasi prodhimi në Australi dhe Rusi i tejkaloi pritshmëritë. Nga ana tjetër, orizi u rrit me 6.2%, rezultat ky i nxitur pjesërisht nga kërkesa e fortë lokale në disa vende eksportuese aziatike.

Çmimet e vajit vegjetal ranë 2.9% në janar, indeksi i qumështit me 1.4% dhe sheqeri me 1.1%. Mishi u ul vetëm me 0.1%.

Duke parë ofertën dhe kërkesën për drithëra, pritet një prodhim botëror rekord të grurit për vitin 2022, falë parashikimeve të rivlerësuara të të korrave nga Australia dhe Rusia.

Parashikimi për prodhimin e orizit u ul për shkak të rënies së prodhimit në Kinë. Për më tepër, pritet të bjerë 2.6% nga niveli i tij më i lartë i 2021.

Ndërkaq, për vitin 2023, të gjithë treguesit parashikojnë një rritje të mundshme të prodhimit të grurit në hemisferën veriore. Megjithatë, kostot e larta të plehrave kimike mund të ndikojnë në rendiment.

Konsumi botëror i drithërave në 2022/23 parashikohej të ulej me 0.7% nga viti i kaluar, në vlerën 2.779 miliardë ton. Vlerësimi për rezervat botërore të drithërave u llogarit 844 milion ton, duke ulur raportin botëror përdorimit të stokut për 2022/23 në 29.5% nga 30.8% në 2021/22./FAO, Reuters, monitor