COP26: Më shumë se 100 liderë botërorë zotohen për ndalimin e shpyllëzimit

Më shumë se 100 liderë botërorë nënshkruan një deklaratë, duke u zotuar të ndalojnë dhe të ndryshojnë tendencat në shpyllëzimin dhe degradimin e tokës deri në vitin 2030, raporton Anadolu Agency (AA).

Sipas marrëveshjes, 12 vende janë zotuar gjithashtu të japin 12 miliardë dollarë fonde publike midis 2021 dhe 2025 për mbrojtjen dhe ripyllëzimin e pyjeve, ndërsa 7,2 miliardë dollarë shtesë do të sigurohen nga investitorët privatë.

Deklarata e përbashkët në Konferencën e Kombeve të Bashkuara për Ndryshimet Klimatike (COP26) në Glasgow, Skoci, u mbështet mes tjerash nga Brazili, Indonezia dhe Republika Demokratike e Kongos, në territoret e të cilave ndodhen zona të mëdha të pyjeve tropikale.

Fondi Botëror për Natyrën (WWF) përshëndeti angazhimet dhe tha se deklarata ishte në përputhje me premtimin e disa qeverive për të rikthyer humbjen e biodiversitetit deri në vitin 2030 për zhvillim të qëndrueshëm.

“Pyjet ofrojnë shërbime të ekosistemit që janë kritike për mirëqenien njerëzore, ekonomike dhe sociale, por vazhdojnë të zhduken me një shkallë alarmante. Angazhimi i mbi 100 liderëve botërorë për të ndaluar shpyllëzimin dhe degradimin e tokës deri në vitin 2030 është i mirëpritur sepse njeh vlerën e pyjeve dhe ekosistemet e tjera natyrore”, tha Fran Price, nga WWF.

Më shumë se 25.000 delegatë nga 200 vende po marrin pjesë në një konferencë në Glasgow që do të zgjasë deri më 12 nëntor, me panele të shumta, takime dhe ngjarje anësore, në të cilat do të kërkohet zgjidhje për të ulur nivelet e ngrohjes globale.​​​​​​​ /aa