COVID-19 – Mbi tre milionë viktima në botë

Më shumë se tre milionë të vdekur nga COVID-19 janë regjistruar zyrtarisht në botë që prej zbulimit në Kinë, në muajin dhjetor 2019, të rasteve të para, sipas të dhënave zyrtare.

Pas një rënie të lehtë në muajin mars, numri i vdekjeve ditore është përsëri në rritje në të gjithë botën, me një mesatare prej më shumë se 12 000 vdekje në ditë javën e kaluar, duke iu afruar 14 500 vdekjeve ditore të regjistruara në fund të janarit, në kulmin e epidemisë.

“Pandemia është në një pikë kritike”, theksoi disa ditë më parë Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH), mes vendeve si Izraeli që po arrijnë ta frenojnë atë falë një fushate të vaksinimit intensiv dhe të tjerave si India që po përjetojnë një rritje të ndjeshme të infektimeve dhe vdekjeve.

Britania e Madhe, vendi i Europës më i prekur nga COVID-19 me 127 225 të vdekur ka regjistruat sot vetëm 30 të vdekur çdo ditë, pas një piku prej më shumë se 1 200 viktima çdo ditë në fund të janarit.

Vendi, që doli të hënën nga më shumë se tre muaj kufizim, nisi në fillim të dhjetorit në fushatë të vaksinimit masiv që ka mundësuar administrimin e të paktën një doze te 60% e popullsisë së rritur.

Gjithashtu SHBA-ja, vendi më i prekur në botë me 566 224 të vdekur, kanë regjistruar rënie të ndjeshme të epidemisë që nga fundi i janarit, edhe nëse shifrat janë në rritje përsëri në disa shtete.

Përfitimet e vaksinimit mund të shihen gjithashtu në Izrael, ku gjashtë në 10 persona kanë marrë të paktën një dozë të vaksinës. Vendi ka regjistruar vetëm 6-7 vdekje në ditë, gati 10 herë më pak se në fund të janarit, në kulmin e pandemisë. /atsh