Dafina Gexha-Bunjaku ushtruese e detyrës së ministres së Shëndetësisë

Dafina Gexha-Bunjaku do të jetë ushtruese e detyrës së ministres së Shëndetësisë.

Bunjaku emërohet në këtë pozitë pas dorëheqjes së Arben Vitisë nga posti i ministrit të Shëndetësisë.

Vitia në konferencën për media deklaroi se tashmë do të fokusohet në garën për të parin e Prishtinës, kurse u.d e ministres do të jetë Dafina Gexha- Bunjaku.

Ndryshe, Dafina Gexha Bunjaku aktualisht është zëvendësministre e Shëndetësisë. Ka lindur në Gjakovë. E diplomuar në Fakultetin e Mjekësisë në Universitetin e Prishtinës, ka vazhduar studimet post-diplomike në fushën e menaxhmentit shëndetësor – program i përbashkët i Universitetit të Prishtinës dhe Universitetit të Vjenës, Austri.

Është specialiste e epidemiologjisë, dhe ka punuar në Institutin Kombëtar të Shëndetësisë Publike në Departmentin e Epidemiologjisë. Gjithashtu ka qenë pjesë e ekipit të IKShPK për fazën përgatitore dhe menaxhuese për COVID-19.

Gexha-Bunjaku është koordinatore për Kosovën në ECDC (Qendra Evropiane për Parandalim dhe Kontroll të Sëmundjeve Ngjitëse), për raportim dhe bashkëpunim në disa fusha. Ka punuar në Programin e Mjekësisë Familjare të zhvilluar dhe përkrahur nga Organizata Botërore e Shëndetësisë dhe Kolegji Mbretëror i Mjekëve të Përgjithshëm, Mbretëria e Bashkuar. (Informacionet mbi veprimtarinë e zëvendësministres janë të publikuara në faqen zyrtare të MSH-së)