DailyMail shkruan për Sadik Durakun që u ndalua në Serbi për “krime lufte”

Sadik Duraku është arrestuar javë më parë nga autoritetet serbe në kufirin Kroaci-Serbi, së bashku me dhjetëra shqiptarë për “krime lufte”.

Ndërkohë, lidhur me mbajtjen e tij ka shkruar sot mediumi britanik “DailyMail”.

Mediumi ka publikuar një artikull se Sadik Duraku nga fshati Damjan në Gjakovë është i sëmurë rëndë dhe po mbahet në një burg “ferr”.

53-vjeçari u dërgua në Gjykatën e Lartë për Krime Lufte në Beograd dhe aty po akuzohet për pjesëmarrje në Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës (UÇK) dhe për krime të kryera gjatë luftës. Ndërkohë që të gjitha akuzat i ka mohuar familja e tij.

Tutje, vajza e Durakut, Suzana ka deklaruar se në kohë të luftës babanë e kishte në Britani duke aplikuar për të marrë azil në 1998-n, e nuk ishte larguar nga vendi deri në 2004-n.

“Familja jonë kërkon prova të prekshme për t’i hedhur poshtë akuzat e pabaza”, ka thënë ajo.

Tutje, në reagimin e Suzanës thuhet se ai po mbahet me pretendime të rrema se ka qenë anëtar i UÇK-së në 1999.

“Një ditë pasi Kosova bëri një hap drejt anëtarësimit të Këshillit të Evropës, Serbia ndaloi qindra shqiptarë në kalimin e kufirit serb. Një nga ato viktima është edhe babai im, Sadik Duraku, shtetas britanik që jetonte në Brighton. Derisa të tjerët janë liruar, babai im mbeti në paraburgim. Ai po mbahet me pretendime të rreme se ka qenë anëtar i UÇK-së në 1999-n, pretendimet e tyre thonë se ka kryer krime lufte gjatë 1999-s. Procesi i azilit nënkuptoi se ne nuk mund të largoheshim nga Britania e Madhe deri në 2004-n. Në këtë moment kritik, familja jonë kërkon prova të prekshme për t’i hedhur poshtë akuzat e pabaza dhe kemi nevojë për mbështetje nga një vëzhgues në Serbi për të garantuar procedura të drejta dhe sigurinë e tij”, thuhet në reagimin e vajzës së Sadikut, Suzanës.

Ajo ka theksuar se babai i saj është me probleme shëndetësore në zemër dhe në 2021-n kishte një sulm.

Për ndalimin e Durakut ka reaguar edhe Ministria e Punëve të Jashtme dhe e Diaporës (MPJD) në Kosovë.

“Pas arrestimit, Durakut i është komunikuar nga autoritetet serbe se është i ngarkuar me pretendimet për kryerje të krimeve të luftës gjatë luftës në Kosovë më 1999. Ndaj tij pretendimet për kryerje të krimeve të luftës i ka ngritur Prokuroria e Lartë për Krime të Luftës e Beogradit”, ka thënë MPJD-ja.

Më 17 prill, qindra njerëz u ndaluan për më shumë se 15 orë, përfshirë zyrtarë policorë të akuzuar në kufi me Serbinë.

Lidhur me këtë, presidenti Vuçiq është akuzuar se kërkon të imitojë aleatin rus Vladimir Putin duke nxitur tensionet me Kosovën./