Dardan Krivaqa dhe Arbër Sejdiu deklarohen të pafajshëm për vrasjen e Marigona Osmanit

Në seancën e shqyrtimit gjyqësor të martën në Gjykatën Themelore në Ferizaj, Dardan Krivaqa dhe Arbër Sejdiu, të cilët akuzohen për dhunimin dhe vrasjen e Marigona Osmanit, janë deklaruar të pafajshëm.

Këtë deklarim, dy të akuzuarit e bënë pas leximit të aktakuzës nga ana e prokurorit Valdet Avdiu, raporton “Betimi për Drejtësi“.

“Më vjen keq, i shprehi ngushëllime familjes, sigurisht që familjes tem i vjen shumë keq. Ajo që thotë prokurori nuk ka ekzistuar kurrë dhe nuk ekziston. S’ka të bëjë me atë që e thotë prokurori”, tha Krivaqa.

Kurse, Sejdiu u deklaru shkurt “Nuk e pranoj fajësinë”.

Shqyrtimi po vazhdon me fjalën hyrëse të palëve në procedurë.

Gjyqtari i çështjes, Sahit Krasniqi më 2 shtator 2022, ka marrë aktvendim në bazë të së cilit i ka refuzuar kërkesat për hudhje të aktakuzës dhe kundërshtimet e provave, të parashtruara nga mbrojtja e të akuzuarve, ndërsa të akuzuarve Krivaqa dhe Sejdiu, iu konfirmua aktakuza.

Ndryshe, më 14 korrik 2022, është mbajtur seanca fillestare ku Dardan Krivaqa ka shfrytëzuar të drejtën të mbrohet në heshtje, kurse Arbër Sejdiu, është deklaruar i pafajshëm.

Krivaqën prokuroria e ngarkon me veprën penale vrasje e rëndë dhe dhunim, kurse Sejdiu po akuzohet për veprën penale vrasje e rëndë dhe ndihmë në kryerjen e dhunimit.