Delawie: Asgjë nuk ka ndryshuar, as nuk do të ndryshojë

Ambasadori i Shteteve të Bashkuara në Prishtinë, Greg Delawie tha të premten se vendi i tij është një nga miqtë dhe mbështetësit më të ngushtë të Kosovës dhe kjo nuk do të ndryshojë.

Ai i bëri këto komente gjatë prezantimit të vullnetarëve të Korpusit të Paqes në Prishtinë.

Komentet e ambasadorit Delawie, pasojnë shkrimet e ndryshme në ditëve të fundit për siç thonë ndryshim të qasjes së administratës amerikane ndaj Kosovës.

“Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë një nga miqtë më të afërt dhe mbështetës të Kosovës, pavarësisht atë që mund të lexoni në media, kjo nuk ka ndryshuar dhe nuk do të ndryshojë”, tha ambasadori Delawie, duke nënvizuar se partneriteti ndërmjet dy vendeve është i thellë dhe shumë dimensional.