Dembele pranë rinovimit të kontratës

Sulmuesi i krahut, Ousmane Dembele, së shpejti do ta rinovojë kontratën me skuadrën e Barcelonës, përcjellë “Mundo Deportivo” të mërkurën. Bëhet e ditur se palët janë në negociata dhe marrëveshja mes tyre mund të arrihet brenda këtij muaji.

Me rinovimin e kontratës që i skadon vitin tjetër, Dembele do të jetë pjesë e Barcelonës deri në vitin 2026. Po ashtu, ai do të ketë edhe një klauzolë lirimi në vlerë mbi 100 milionë euro.

25-vjeçari pëlqehet shumë nga trajneri Xavi Hernandez, i cili po dëshiron ta mbajë në ekip sa më gjatë që të jetë e mundur.

Këtë edicion, Dembele ka treguar paraqitje të mira për Barçën, ku ka shënuar 8 gola dhe ka asistuar 7 herë në të gjitha garat.