Dortmundi në finale, eliminon Parisin

Borussia Dortmundi ka shënuar dy fitore ndaj Paris Saint-Germainit për të bërë vend në finale të Ligës së Kampionëve. Pas fitores 1:0 në Dortmund javën e kaluar, skuadra gjermane fitoi edhe të martën mbrëma në “Parkun e Princave” në Paris.

Edhe ndeshja e dytë gjysmëfinale përfundoi me rezultatin 1:0 në të mirë të Dortmundit.

Kështu skuadra e Dortmundit, që shquhet për tifozët e shumtë e të zjarrtë, kthehet në finale të Championsit pas 11 vjetër. Finalen e vitit 2013 e kishte humbur nga Bayerni, derisa në Champions ka triumfuar në vitin 1997.

Parisi ndërkohë duhet të pres ende për triumf në Champions. Për këtë synim të madh janë investuar miliarda euro deri më tani, por pa sukses.

Momenti vendimtar i gjysmëfinales së dytë ishte ai i minutës së 50-të. Pas një rivënie nga këndi, mbrojtësi i qendrës Mats Hummels mbeti i pambuluar në zonë. Hummels goditi saktë me kokë për 1:0.

Parisienët nuk ndalën përpjekjet për të barazuar rezultatin, por pa sukses. Madje kampioni francez ka goditur plot katër herë shtyllën, por ka dërguar topin në rrjetë.

Në finalen e qershorit në “Wembley”, Borussia Dortmundi e pret fituesin e duelit Real Madrid – Bayern Muenchen. Kjo sfidë vendoset të mërkurën mbrëma.