Dënohet me 20 vjet burgim i akuzuari për vrasjen e dyfishtë te Parku i Qytetit

Gjykata Themelore në Prishtinë, të martën, e ka dënuar me 20 vjet burgim të akuzuarin Lulzim Idrizi, pasi ai është shpallur fajtor për vrasjen e dyfishtë që kishte ndodhur më 29 gusht të vitit 2016, në afërsi të Parkut të Qytetit në Prishtinë.

Për vrasje të rëndë ai është dënuar me 19 vjet e 6 muaj burgim, kurse për armëmbajtje pa leje me 1 vit burgim, ku më pas Idrizi është dënuar me dënim unik prej 20 vjet heqje lirie.

Atij do t’i llogaritet edhe koha e kaluar në paraburgim nga 19 nëntori i vitit 2017 e derisa aktgjykimi të merr formën e prerë, me ç’rast edhe i është vazhduar kjo masë.

Ai është obliguar që t’i paguajë shpenzimet e procedurës si dhe paushallin gjyqësor në shumë prej 200 euro.

Kurse, pala e dëmtuar është udhëzuar në kontest civil.

Pas shpalljes së aktgjykimit, kanë reaguar familjarët duke e cilësuar si të padrejtë këtë dënim.

Lulzim Idrizi, në shqyrtimin fillestar të mbajtur më 18 dhjetor të vitit të kaluar, e kishte pranuar fajësinë për dy veprat penale më të cilat ngarkohet, atë për vrasje dhe për armëmbajtje pa leje.

Pas leximit të aktakuzës nga prokurorja Bukurie Gjonbalaj, i pandehuri Idrizi, kishte deklaruar se u kërkon ndjesë familjarëve për veprën e kryer.

Mirëpo, pranimi i fajësisë, ishte refuzuar nga trupi gjykues, i kryesuar nga gjykatësja Shadije Gërguri, pasi sipas saj, ky veprim nuk është në përputhje me nenin 248 paragrafi 1, pika 1.3 i KPRK-së.

Prokuroria Themelore në Prishtinë ka ngritur aktakuzë ndaj Lulzim Idrizit, pasi më 29 gusht 2016, rreth orës 11:40, në Prishtinë në rrugën “Hamëz Jashari”, ai akuzohet se ka privuar nga jeta Eron Agajn dhe Arianit Gashin.

Sipas aktakuzës, për shkak të një mosmarrëveshjeje rreth një borxhi me tani të ndjerët Eron Agaj, i cili kishte shkuar me qëllim që të bisedoi rreth borxhit, me motoçikletën e të ndjerit, Arianit Gashi, që ky i fundit e ka drejtuar, në atë moment i pandehuri me dashje që t’i provojë nga jeta, ka shtënë në drejtim të tyre me armë zjarri, i ka goditur disa herë nëpër pjesë të ndryshme të trupit, me ç’rast u ka shkaktuar lëndime të rënda trupore, shkaku i të cilave, Erion Agaj kishte vdekur në vendin e ngjarjes, kurse Arianit Gashi kishte vdekur në QKUK.

Me këtë, Lulzim Idrizi, akuzohet se ka kryer veprën penale “vrasje e rëndë”, nga neni 179 paragrafi 1, pika 1.11 të KPRP-së .

Gjithashtu, ai akuzohet edhe për veprën penale “mbajtja në pronësi, kontroll, ose posedim të paautorizuar të armëve”, nga neni 374, paragrafi 1 i KPRK-së.