Departamenti Anti-Terror: Aktivistët e VV-së e kishin planifikuar mirë sulmin ndaj Kuvendit

Policia e Kosovës, e cila aktualisht është duke mbajtur konferencë për media tregon për mënyrën se si kanë arritur deri tek gjurmët e aktivistëve të Vetëvendosje që sollën deri në arrestimin tyre.

Fatos Makolli, drejtor i departamentit Anti – Terror në Policinë e Kosovës duke folur për sulmin e Kuvendit ka bërë të ditur se si është zhvilluar gjithë operacioni për të identifikuar sulmuesit e Kuvendit më datë 4 gusht.

“Një ditë pas sulmit përmes së cilës përgjegjësia është marrë nga një grupacion me emrin “Rugovasit” ku edhe kërcënonin për sulme të reja. Pas kësaj ne kemi filluar hetimet ku jemi përqendruar në dy pista. Identifikimi i sulmuesve dhe identifikimi i personave që qëndrojnë pas ‘Rugovasve’. Duke hetuar rastin e motorit është identifikuar personi që motorin e kishte shit në Kosovë dhe personin që kishte shitur motorin vetëm pak ditë para sulmit. Po ashtu kemi identifikuar edhe aparatin telefonik me anë të cilit është dërguar komunikata. Është arrit që të identifikohet personi që ka blerë këtë telefon nga shitësit ambulant e deri të lëshimi komunikatave”, thotë Makolli.

Ndërsa pista tjetër sipas tij, ka qenë intervistimi i pronarëve të motorit i cili është shitur më 17 korrik, shkruan lajmi.net.

“Personat që kanë blerë motorin janë të dyshuar për kryerjen e sulmit. Janë idenfikuar të gjitha lëvizjet e të dyshuarve gjatë natës së kryerjes së sulmit. Në bazë të analizave tona ky rast është planfikuar dhe është kryer në mënyrë shumë të sofistikuar”, sqaron ai tutje.

Ai tha se hetimet për këtë rast ende nuk kanë përfunduar.

I pyetur për mundësi të bastisjes së zyrave të VV-së ai ka thënë se policia nuk është duke hetuar asnjë subjekt politikë por disa individë të cilët policia nuk i lidhë me asnjë parti por si të dyshuar për kryerjen e një vepre.

“Është shqetësuese gjetja e një arsenali armësh në shtëpitë të dyshuarve por mund t’iu them që arma më të cilën është kryer sulmi nuk është gjetur në shtëpinë tyre”, ka thënë Makolli.