Deponia ilegale që po rrezikon shëndetin e nxënësve të shkollës “Meto Bajraktari”

Janë të shumta rastet e krijimeve të deponive ilegale nëpër kryeqytet.

Një e tillë është krijuar edhe në rrugën Josip Rela, te shkolla Meto Bajraktari në qendër të kryeqytetit.

Banorë të kësaj ane për Indeksonline kanë thënë se kjo deponi po rrezikon nxënësit dhe qytetarët nga ndonjë epidemi si pasojë e kundërmimit nga erërat e pakëndshme të mbeturinave.

Sipas tyre, kjo deponi është krijuar nga mungesa e ndërgjegjes së qytetarëve, porse me anashkalimin e Komunës së Prishtinës kjo deponi po zgjerohet e po bëhet edhe më e padurueshme.

Me këtë rast, banorët e lagjes Tophane i kanë bërë thirrje Komunës që të intervenojë sa më parë me largimin e kësaj deponie pasi që ky është një imazh negativ dhe po rrezikohet kërcënimi serioz për shëndetin e nxënësve dhe banorëve.

“Në qendër të kryeqytetit, tek shkolla fillore Meto Bajraktari (Rr. Josip Rela) është krijuar një deponi ilegale, e cila rrezikon nxënësit por edhe qytetarët/banorët e lagjes nga ndonjë epidemi si pasojë e kundërmimit nga erërat e pakëndshme të mbeturinave. Mungesa e ndërgjegjes qytetare e përcjell me anashkalimin e Komunës karshi ankesave të qytetarëve, ka bërë që kjo deponi të zgjerohet e të bëhet edhe më e padurueshme. I bëjmë kërkesë Komunës që të intervenoj sa më parë me largimin e kësaj deponie pasi që ky është një imazh negativ i kryeqytetit i cili njëherazi paraqet kërcënim serioz për shëndetin e nxënësve, banorëve e qytetarëve”, thuhet në ankesën e njërit nga qytetarët e kësaj lagje.