Deputeti ukrainas mbështet anëtarësimin e Kosovës më KiE, e thotë në shqip: Kosova është Evropë

Deputeti ukrainas, Olekseiy Goncharenko, në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Evropës (KiE) ku po diskutohet raporti për anëtarësimin e Kosovës në KiE, mbështeti anëtarësimin e Kosovës në këtë organizatë.

“Dua të përgëzoje Kosovën. Jam i sigurt që do të ketë vendim pozitiv dhe Kosova e meriton 100 për qind. Është një moment i rëndësishëm jo vetëm për Kosovën, jo vetëm për Ballkanin, por për të gjithë ne. Sepse, bota e lirë duhet të bëhet bashkë. Bota e lirë duhet të jetë e bashkuar. Tiranitë e perandoritë po përpiqen të bëjnë hakmarrje. Shikojeni çka po ndodhë. Putini po përpiqet ta rindërtojë perandorinë ruse… Shikojeni çka po ndodhë në Ballkan, ku Rusia po përpiqet t’i hedhë benzinë zjarrit, të ketë luftëra të tjera. Ky hap është kundër kësaj… Kosova duhet të jetë anëtare e KiE, anëtare e BE-së. Kosova është Evropë dhe kjo është e vërtetë”, ka thënë Goncharenko.

Deputeti në fund të fjalës së tij ka pasur edhe disa fjalë për Serbinë, duke i bërë thirrje t’i shkëputë lidhje me presidentin rus, Vladimir Putin.

“T’i drejtohem Serbisë, shiheni vendet tjera në histori. Kemi pasur kënaqësinë të punojmë me një Serbi demokratike. Nuk ndërtohet më perandoria serbe. Nuk ka mundësi në Ballkan. Nuk ka më vend në Evropë për perandor”, ka thënë deputeti ukrainas.

Arta Bilalli-Zendeli, përfaqësuesja shqiptare e Maqedonisë së Veriut në Asamblenë e Përgjithshme të Këshillit të Evropës, ka thënë se deklaratat kundër anëtarësimit të Kosovës kundërshtojnë qëllimin kryesor të Këshillit të Evropës (KiE) që është parandalimi i luftërave.

Ajo i është përgjigjur disa anëtarëve të Asamblesë së Përgjithshme të KiE të cilët thanë se anëtarësimi i Kosovës do të krijonte konflikte të reja.

“Si shqiptare e Maqedonisë, e ndiej këtë temë si shumë të rëndësishme. Nuk pajtohem me opinionet e tipit që ky anëtarësim do të krijonte konflikte të reja në Evropës. A është krijuar ky Këshill për të parandaluar luftërat në Evropë? Prandaj këto komente nuk tingëllojnë aq mirë, kundërshtojnë qëllimin kryesor të Këshillit të Evropës. Ky anëtarësim do ta nxisë edhe dialogun sepse tani kemi dy palë të barabarta në dialog. Pra, barazia është vlerë themelore e KiE”, ka thënë Bilalli-Zendeli, e cila ka vlerësuar raportin pozitiv të raportueses për Kosovën në Këshillin e Evropës, Dora Bakoyannis.

Ndryshe, Dora Bakoyannis, e cila edhe e ka përpiluar këtë raport, tha se gjatë punës së saj, asnjë “gur nuk ka mbetur pa u lëkundur” në përgatitjen e raportit dhe tha se është konfirmuar se, pavarësisht disa mangësive, Kosova është demokraci funksionale duke i bërë thirrje Këshillit të Ministrave të ftojë Kosovën të bëhet anëtare e Këshillit të Evropës.

Ajo ka thënë se juristët kanë konfirmuar qëndrimin se Kosova i përmbush kërkesat bazike për anëtarësim në Këshillin e Evropës.

Bakoyannis shpjegoi se raporti nuk prek çështjen e njohjes apo mosnjohjes së Kosovës dhe se kjo çështje duhet të mbetet kompetencë e shteteve.

Bakoyannis ka përmendur hapat që ka bërë Kosova për t’i përmbushur kushtet, përfshirë edhe zbatimin e vendimit të Gjykatës Kushtetuese për pronësinë e Kishës Ortodokse serbe në Deçan. Këtë e ka quajtur si “problemin më të madh në zbatimin e ligjit në Kosovë që ka pritur nga viti 2016”.

Biljana Pantiq Pila nga Serbia kritikoi raportin e deputetes greke duke thënë se çështja e themelimit të Asociacionit të Komunave të Kosovës nuk mund të anashkalohet.

“Ju keni vendosur të shkelni ligjin ndërkombëtar. Nëse lejoni të ashtuquajturën Kosovë të anëtarësohet në Këshillin e Evropës, pa themelimin e Asociacionit, atëherë Asociacioni nuk do të themelohet asnjëherë”, tha ajo.

Maja Vukiqeviq, deputete e Malit të Zi, po ashtu u deklarua kundër antarësimit të Kosovës në Këshillin e Evropës. Vukiqeviq është anëtare e Partisë Popullore Demokratike (DNP) proruse në parlamentin malazias.

Branislav Borenoviq nga Bosnja dhe Hercegovina u shpreh kundër anëtarësimit duke thënë se “duke vendosur në agjendë pranimin e të ashtuquajturës Kosovës po dëshmojmë kolapsimin e të drejtës ndërkombëtare, në zemër të Evropës”.

Para fillimit të seancës në Asamblenë Parlamentare të martën, Komisioni për Politikë dhe Demokraci me shumicë të madhe i ka hedhur poshtë të gjitha amendamentet e propozuara nga delegatët e Serbisë, të cilat u mbështetën edhe nga dy delegatë të Bosnje e Hercegovinës.

Serbia kishte propozuar disa ndryshime në tekstin për rekomandimin që Kosova të pranohet në këtë organizatë. Përmes tyre, kërkohej që Kosova të mos pranohet në Këshillin e Evropës derisa Këshilli i Sigurimit i Kombeve të Bashkuara të mos vendosë për statusin e Kosovës.

Serbia po ashtu kërkoi që në vazhdim të procesit, Kosovës t’i vihet si kusht themelimi i Asociacionit të komunave me shumicë serbe. Delegacioni serb po ashtu ka kërkuar që nga teksti të hiqen të gjitha pikat në të cilat vlerësohet përparimi i Kosovës në respektimin e të drejtave të njeriut dhe pakicave dhe në vend të kësaj, Kosova të kritikohet për shkelje të të drejtave.