Dërgesat e grurit ukrainas pjesë e bisedimeve diplomatike ruse

Dërgesat e grurit nga Ukraina janë në krye të axhendës diplomatike të Moskës gjatë ditëve në vijim, njoftoi zëdhënësi i Kremlinit, Dmitri Peskov.

Peskov tha se çështja do të diskutohej sot në Soçi mes presidentit, Vladimir Putin dhe presidentit senegalez, Macky Sall dhe gjatë një vizite në Turqi, javën e ardhshme të ministrit të Jashtëm rus, Sergei Lavrov.

“Presidenti Putin do të presë në takim Sall, kryetarin aktual të Bashkimit Afrikan, për të dhënë shpjegime adekuate të pikëpamjes së tij për situatën në lidhje me transportin e drithërave të Ukrainës dhe për t’ua paraqitur situatën faktike dhe aktuale miqve tanë afrikanë”, tha Peskov.

Ukraina është një nga eksportuesit më të mëdhenj të drithërave në botë dhe kolapsi në dërgesat e saj pas pushtimit të Rusisë ka goditur rëndë vendet afrikane.

Shumë vende po përballen me një rritje të çmimeve të ushqimeve dhe si pasojë me një krizë humanitare.

Peskov tha se çështja do të diskutohet gjithashtu gjatë vizitës së Lavrov në Ankara, javën e ardhshme.

“Çështja e dërgesave të drithërave nga Ukraina sigurisht që do të jetë në krye të axhendës”, shtoi ai. /atsh