Dështon ndryshimi i Ligjit për Shërbyesit Civilë, deputeti i LVV-së Fitim Uka votoi kundër – Konjufca abstenoi

Në mungesë të kuorumit, Kuvendi i Kosovës nuk arriti që në seancën e sotme ta miratojë në lexim të parë Projektligjin për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për zyrtarët publikë.

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, ka konstatuar se s’ka kuorum meqë në votim kanë marrë pjesë vetëm 59 deputetë.

“Vetëm 59 deputetë morën pjesë në votim. Dy deputet s’morën pjesë. Kështu që s’ka kuorum”, ka deklaruar Konjufca pas votimit.

Vlen të theksohet se deputeti i LVV-së Fitim Uka, ka votuar kundër këtyre ndryshimeve derisa kryeparlamentari Glauk Konjufca ka abstenuar.

Edhe deputeti i Vakatit, Bahrim Shabani, që është pjesë e koalicionit ka abstenuar në këtë votim.

Kryetari i Kuvendit ka thënë se Ligji i njëjtë mund të nxirret në votim në një seancë tjetër kurdo që mund të organizohet.

Derisa mazhoranca e mbështeti këtë projektligj, kritik dhe kundër ishin deputetët opozitarë nga Lidhja Demokratike e Kosovës dhe ata të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës.

Deputetët e opozitës këtë projektligj e cilësuan si tentim për kapjen e administratës shtetërore.