Dështon seanca e jashtëzakonshme e opozitës, LVV-ja nuk merr pjesë

Një numër i vogël i deputetëve janë paraqitur sot në seancën e jashtëzakonshme të thirrur nga opozita, ku pritej diskutime lidhur mbi furnizimin me tekste shkollore për nxënësit e nivelit të arsimit fillor dhe të mesëm të ulët.

Seanca ishte planifikuar të nis në ora 12:00.

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, fillimisht tha se po presin që të vijnë edhe deputetë tjerë në mënyrë që të jetë shumica për fillimin e seancës, por pas disa minutave ai deklaroi se seanca nuk mund të mbahet pasi nuk është mazhoranca.

Megjithatë, Konjufca lejoi shefat e grupeve parlamentare që të flasin shkurt pasi veç ishin në Kuvend.

Në sallë janë disa nga deputetët e PDK-së, si Abelard Tahiri, Eliza Hoxha, Ariana Musliu-Shoshi, Hajdar Beqa etj.

Kurse nga LDK, Driton Selmanaj, Agim Veliu, Hykmete Bajrami, Besian Mustafa etj.

Ndërsa, nga partia në pushtet, Lëvizja Vetëvendosje nuk është parë asnjë deputet.

Deputetja e LVV-së, Fatmire Mulhaxha-Kollçaku ka shkruar në Facebook se për herë të parë nxënësit janë mbështetur për blerjen e pajisjeve shkollore.

“Opozitarët thërrasin seancë para fillimit të sesionit vjeshtor, të pakënaqur sepse përveç librave, nxënësit mbështeten edhe për blerjen e pajisjeve të tjera shkollore. Për herë të parë, mbështetje direkte për të gjithë nxënësit nga klasa e parë deri në klasën e nëntë. Kot lodheni”, thotë ajo.