Dhëndri i Trumpit, Jared Kushner mund të qëndrojë pas idesë për ndryshim kufijsh

Në një shkrim që gazeta Le Monde, e datës 14 gusht i ka kushtuar debatit të fundit për ndryshimin e kufijve mes Kosovës dhe Serbisë, zbulohen detaje të frikshme të asaj që mund të ketë vënë në lëvizje këtë ide të rrezikshme.

Sipas gazetës, ministri i jashtëm serb, Ivica Daçiç që ka qenë një partizan më i hershëm i kësaj zgjidhjeje, ka marrë një shkelje syri nga SHBA.

“Pas një takimi me dhëndrin e Trump, Jared Kushner në fund të korrikut, Daçiç pohoi se ‘të gjitha kartat ishin mbi tavolinë’ shkruan e përditshmja franceze e referencës, e cila e komenton kështu këtë fakt ‘Për një kohë të gjatë kundër çdo lloj ndryshimi të kufirit, Uashingtoni, që e mbështet Kosovën që nga lufta e 1999, duket se e ka zbutur qëndrimin pas ardhjes së Donald Trumpit në Pushtet’.

Kjo ka mbërritur deri në atë pikë sa shumë diplomatë evropianë dyshojnë se SHBA mund të merret vesh për një zgjidhje me Rusinë, që ka qenë një mbështetëse historike e Serbisë”, komentohet në shkrim, transmeton Lapsi.al

Pasi thekson, që në krye të artikullit, se kjo perspektivë i frikëson evropianët, gazeta citon edhe deklaratën e kancelares Merkel këtë të hënë, e cila tha se

“Integriteti territorial i vendeve të Ballkanit është i vendosur dhe i pandryshueshëm”.

Duke sqaruar se britanikët tashmë e kanë refuzuar këtë zgjidhje dhe se Franca po qëndron në heshtje gazeta citon një ekspert të Ballkanit, Pierre Mirel, ish-përgjegjës për gadishullin tonë në BE, i cili thotë:

“Është një rrezik i madh për rajonin që mund të krijojë një përshkallëzim të kërkesave për shtete me kufij etnikë në vende si Maqedonia, Mali i Zi dhe Bosnja”.

 

Pikërisht për këtë, gazeta kujton se pas debatit të hapur nga Thaçi, presidenti i serbëve të Bosnjës, Milorad Dodik deklaroi se territori i tij duhet të ndahet nga pjesa tjetër e vendit.

Le Monde thekson se Milorad Dodik është një njeri i afërt i Putinit.