Ditët e Ramazanit kalojnë me një shpejtësi të mahnitshme, sikur të na kujtojnë realitetin e vetë jetës. Por njerëzit me largpamësi e kuptojnë se Ramazani nuk matet me fillimin e tij, por me përfundimin e tij.
Prandaj, dhjetë netët e fundit janë përmbledhja dhe shpirti i këtij muaji. Nëse Ramazani është kurora e muajve, atëherë dhjetë netët e fundit janë stolia më e çmuar e kësaj kurore.
●Një mësim profetik për seriozitetin
Kur hynin dhjetë netët e fundit, gjendja e Profetit ﷺ ndryshonte. Aishja (Allahu qoftë i kënaqur me të) thotë:
“E gjallëronte natën me adhurim, i zgjonte familjarët e tij dhe përpiqej me shumë seriozitet.”
Pra, nuk ishte vetëm një shtim i adhurimit, por një gjendje e plotë përkushtimi dhe mobilizimi shpirtëror. Sikur këto net të shpallnin se momentet vendimtare kanë filluar.
●Një natë që mund të ndryshojë një jetë të tërë
Në këto dhjetë net fshihet Nata e Kadrit. Një natë e vetme, por më e vlefshme se një mijë muaj. Në të zbresin mëshira dhe bekimet, hapen dyert e qiellit dhe ndryshojnë shumë fate.
Prandaj Allahu e ka fshehur kohën e saj, që robi të përpiqet dhe të lodhet në kërkimin e saj.
Porosi:
Dhjetë netët e fundit nuk janë thjesht disa ditë në fund të Ramazanit. Ato janë një mundësi e fundit që mund ta ndryshojë tërësisht rrjedhën e jetës së njeriut.
Ndoshta mes nesh ka dikë që këtë vit do ta arrijë Natën e Kadrit dhe për të do të shkruhet një fillim i ri me Allahun.
Prandaj le të përpiqemi sa të mundemi dhe të shtojmë lutjen që na e mësoi Profeti ﷺ:
“O Allah, Ti je Falës dhe e do faljen, andaj më fal mua.”
Dr. Abdulkerim Bekar








