Dhjetëra mijëra banorë largohen nga Al Fasher në Sudan pas marrjes së kontrollit nga RSF

Më shumë se 107 mijë civilë sudanezë janë zhvendosur nga qyteti Al Fasher dhe fshatrat përreth në shtetin Darfur i Veriut, si pasojë e përkeqësimit të sigurisë, njoftoi Organizata Ndërkombëtare për Migracionin (IOM).

Sipas një deklarate të publikuar të dielën, rreth 107,294 persona, ose mbi 24,200 familje, u larguan nga Al Fasher dhe zonat përreth mes 26 tetorit dhe 8 dhjetorit, pasi forcat paraushtarake të Rapid Support Forces (RSF) morën kontrollin e qytetit.

IOM bën të ditur se rreth 72 për qind e të zhvendosurve kanë mbetur brenda Darfurit të Veriut, kryesisht në pjesët veriore dhe perëndimore të shtetit, ndërsa rreth 19 për qind janë zhvendosur në shtete të tjera, përfshirë Darfurin Qendror, Shtetin Verior dhe Shtetin White Nile.

Sipas ekipeve në terren, rreth 75 për qind e personave të zhvendosur gjatë kësaj periudhe kishin qenë të zhvendosur edhe më herët, pasi kishin ikur nga kampet e mëdha si Zamzam dhe Abu Shouk ose nga lagje të Al Fasherit gjatë përshkallëzimeve të mëparshme të dhunës.

Organizata paralajmëron se kufizimet e lëvizjes dhe pasiguria e vazhdueshme mund të ndikojnë më tej në rrugët e zhvendosjes dhe numrin e të larguarve. IOM thekson se shifrat janë paraprake dhe mund të ndryshojnë, pasi situata mbetet shumë e paqëndrueshme.

Ndërkohë, në tre shtetet e Kordofanit – Verior, Perëndimor dhe Jugor – janë regjistruar javë të tëra përleshjesh të ashpra mes ushtrisë sudaneze dhe RSF-së, duke detyruar dhjetëra mijëra persona të tjerë të largohen nga shtëpitë e tyre.

Konflikti mes ushtrisë dhe RSF-së, që ka nisur në prill të vitit 2023, ka shkaktuar mijëra viktima dhe ka zhvendosur me forcë miliona njerëz në mbarë Sudanin. /mesazhi