Të premten, Istogu u trondit nga një rast i rëndë. Policia e Kosovës kapoi në flagrancë një 54-vjeçar duke dhunuar një të mitur 12-vjeçare në fshatin Dubravë.
Pas këtij rasti, Gjykata Themelore në Pejë – Departamenti për Krime të Rënda, me gjyqtarin e procedurës paraprake Shaqë Curri, caktoi masën e paraburgimit njëmujor ndaj të pandehurit T.P., pas kërkesës së Prokurorisë Themelore në Pejë.
Paraburgimi u caktua me arsyetimin se ekziston dyshimi i bazuar se i pandehuri T.P. ka kryer veprën penale “Dhunimi”, sipas nenit 227 paragrafi 7 lidhur me paragrafin 1 dhe në bazë të nenit 77 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.
Masa është caktuar në përputhje me kushtet ligjore të parashikuara me Kodin e Procedurës Penale të Kosovës.
IndeksOnline raportoi gjatë ditës së djeshme se i dyshuari në fjalë është Tom Prekaj nga Gurrakoci.








