Di Bella: Rritja ekonomike deri në 3 %, FMN kundër prekjes së TRUST-it

Një mision i Fondit Monetar Ndërkombëtar (FMN), nën udhëheqjen e Gabriel Di Bella, zhvilloi një vizitë në Prishtinë nga 25 tetori deri më 4 nëntor, në kontekst të konsultimeve në kuadër të Nenit IV për vitin 2022.

Në përmbyllje të vizitës sot është mbajtur konferencë për medie me rastin e përfundimit të vizitës së misionit të Fondit Monetar Ndërkombëtar në Kosovë.

Udhëheqësi i misionit të FMN-së, Gabriel Di Bella, tha se lufta në Ukrainë ka krijuar një situatë të vështirë dhe sfiduese për Evropën dhe Kosova nuk bën përjashtim në këtë situatë, raporton RTKlive.

Ai ka thënë se për këtë vit rritja ekonomike do të jetë prej 2 deri në 3%, kurse për vitin 2023 do të jetë prej 3% deri në 4 %.

“Si pasojë e luftës në Ukrainë janë ngritur çmimet në Kosovë dhe, për pasojë, rritja ekonomike në Kosovë është ngadalësuar, për këtë qeveria ka marrë një sërë programesh që kanë pasur qëllim zbutjen e goditjes nga çmimet, nga kjo janë rritur edhe kostot e investimeve”, tha ai.

Për sektorin financiar, udhëheqësi i misionit të FMN-së, Gabriel Di Bella, tha se Kosova sistemin financiar e ka të kapitalizuar mirë. Sipas tij, në vitin që vjen do të kemi ulje të çmimeve të mallrave. “Kosova do të përfitojë nga kjo ulje dhe aktiviteti ekonomik do të rritet”, tha ai.

Për buxhetin e vitit 2023, ai tha se është buxhet i mirë dhe se qeveria do të ndihmojë. Sipas tij rritja ekonomike e Kosovës do të jetë mbi 3 %. Ai ka kërkuar që të implementohen rekomandimet që i ka dhënë FMN për Kosovën. Di Bella bëri me dije se FMN është kundër prekjes së mjeteve të TRUST-it. Edhe për humbjet e energjisë elektrike, që tani është 18%, tha se duhet të bëhen veprime.

Sipas tij duhet të finalizohet puna në ligjin që rregullon pagat publike, me synimin që zbatimi i tij të fillojë më 2023.

Ai ka thënë se me ngadalësimin e rritjes dhe shtrëngimin e kushteve financiare, Banka Qendrore

(BQK) duhet të forcojë më tutje monitorimin e kreditimit dhe likuiditetit të bankave.