Dialogu në Bruksel përfundon pa takim trepalësh, Petkoviq thotë se Bislimi refuzoi të bisedoi me palën serbe

Të martën në Bruksel, kryenegociatorët e Kosovës dhe Serbisë kanë zhvilluar takime dypalëshe me zyrtarët e Bashkimit Evropian. Por, nuk ka pasur një takim të përbashkët midis Kosovës, Serbisë dhe Bashkimit Evropian.

Nuk ka informacione zyrtare se pse nuk ka ndodhur një takim trepalësh, edhe pse i njëjti ishte paralajmrëruar, por përfaqësuesi i Serbisë tha se ishte kryenegociatori kosovar, Besnik Bislimi ai që refuzoi të bisedojë me palën serbe.

Edhe në të kaluarën, në Bruksel, përfaqësuesit e Kosovës dhe Serbisë kanë pasur takime të ndara me të dërguarin e posaçëm të BE-së për dialog, Mirosllav Lajçak.

Të martën, takimin e parë me Lajçakun e ka pasur Besnik Bislimi, zëvëndëskryeministër i Kosovës.

Menjëherë pas tij, Lajçak është takuar me delegacionin e Serbisë, të udhëhequr nga Petar Petkoviq.

Pas takimeve me dy kryenegociatorët, Lajçak tha se bisedimet ishin “intensive” për një sërë temash konkrete.

Derisa kryenegociatori i Kosovës, Besnik Bislimi, nuk është deklaruar pas takimit, homologu i tij serb, Petar Petkoviq, ka thënë se bisedimet e sotme nuk ishin të lehta dhe se temë kryesore ka qenë Asociacioni i komunave me shumicë serbe.

Sipas mediave serbe, Petkoviq ka thënë se kanë biseduar vetëm me përfaqësuesin special të Bashkimit Evropian, Miroslav Lajçak, pasi sipas tij, udhëheqësi i delegacionit të Kosovës, Besnik Bislimi, ka refuzuar të bisedojë me palën serbe.

Ai theksoi se pala serbe është në pritje të formimit të Asociacionit, pas nëntë vitesh dhe se “pa formimin e Asociacionit që duhet të përfaqësojë kornizën e të drejtave kolektive, nuk di se si të veprohet dhe si mund të diskutohen çështjet tjera”.

“Ne jemi të gatshëm të shkojmë më tej, por të gjitha obligimet duhet të përmbushen”, tha Petkoviq.

Ai shtoi se çështja e dytë ishte energjia dhe se “Beogradi ende është në pritje të licencave për dy kompani serbe në Kosovë dhe se është e rëndësishme që banorëve të veriut të Kosovës t’u sigurohet furnizim i rregullt dhe stabil me energji elektrike”.

Dialogu mes Kosovës dhe Serbisë, me ndërmjetësim të BE-së, ka nisur më 2011.

Sipas burimeve diplomatike, të martën është thënë se do të diskutohej për çështjen e të pagjeturve, për atë të targave të veturave dhe për çështjen e energjisë.