Diplomacia kosovare ka përjetuar kapërcime të mëdha brenda këtyre katër viteve. Fillimisht ishte në dorë të Hashim Thaçit i cili pasi u bë president u zëvëndësua nga Enver Hoxhaj dhe tash është në dorë të Emanuel Demaj.
Por përderisa Thaçi është kalibër tjetër si personalitet që ka mbajtur këtë post, Enver Hoxhaj dhe Demaj kanë diçka që nuk e përbashkët por krejtësisht e kundërt: kryediplomati i deritashëm ishte mburrur se është lexues i filozofëve të ndryshëm sikurse Jürgen Habermas apo Henry Kissinger, pasardhësi në “fronin” e kryediplomacisë kosovare është një politikan që nuk di të shkruaj.
Emanuel Demaj, sekretar i Partisë Shqiptare Demokristiane, ishte emëruar zëvendësministër i Punëve të Jashtme të Kosovës në gusht të vitit të kaluar. Në këtë pozitë ai erdhi pasi partia e tij është në koalicion me Partinë Demokratike të Kosovës ndërsa në këtë post ai e zëvendësoi ish-zëvendësministrin Petrit Selimi.
Një vit pas, Demaj është në krye të Ministrisë së Punëve të Jashtme. Por përderisa në krye të kësaj ministrie ishte politikani Enver Hoxhaj i cili në shumë postime në Facebook, është mburrur se lexon filozofi madje “dy deri në tre libra gjatë muajit”, Demaj ishte bërë tema mediale për një gjë krejtësisht tjetër; mungesën elementare të drejtshkrimit.









