Diplomati gjerman: Politika zyrtare gjermane nuk mbështet asnjë ndryshim kufijsh

Diplomati gjerman, Geert-Hinrich Ahrens, ka thënë se politika zyrtare gjermane nuk mbështet asnjë ndryshim kufijsh në Ballkanin Perëndimor.

Ai këto komente i ka bërë gjatë një interviste për Deutsche Welle, duke shtuar se nga një ide e tillë, qëndron rreziku që shqiptarët në Maqedoni, Tetovë dhe viset e tjera të synojnë që t’iu bashkohen shteteve shqiptare, transmeton Klan Kosova.

“Ju e dini që politika zyrtare gjermane nuk mbështet asnjë ndryshim kufijsh, sepse qëndron gjithmonë rreziku që shqiptarët në Maqedoni, Tetovë dhe viset e tjera do të donin gjithashtu t‘i bashkoheshin atij shteti”.

“Kemi po ashtu vende me shqiptarë në jug të Malit të Zi, që kufizohen me Shqipërinë e jo Kosovën dhe pastaj është çështja e jugut të Serbisë në Luginën e Preshevës”.

“Unë mendoj, se nëse në Beograd dhe në Prishtinë kemi qeveri të zgjedhura në mënyrë demokratike, që përfaqësojnë popullin e tyre, atëherë duhet që të mos ketë ndërhyrje nga jashtë, nëse ata duan të bëjnë diçka me njëri-tjetrin”.

“Por unë nuk shoh ende që në një të ardhme të afërt të arrihet një marrëveshje, ku Beogradi ta njohë pavarësinë e Kosovës”.

Diplomati Ahrens, i cili gjatë kohës së luftës në Kosovë ka qenë negociatori kryesor për çështjen e Kosovës në Konferencat e Jugosllavisë së atëhershme, ka folur edhe për temën e heqjes së kontrolleve kufitare midis Shqipërisë dhe Kosovës.

“Unë mendoj nëse hiqen kontrollet kufitare me një marrëveshje dypalëshe dhe gjithçka është nën kontroll, kjo është diçka shumë pozitive”.