Sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, u takua të mërkurën në Uashington me kryeministrin dhe ministrin e Jashtëm të Katarit, Mohammed bin Abdulrahman Al Thani, në kuadër të përpjekjeve diplomatike për avancimin e fazës së dytë të armëpushimit në Gaza, në mes të shkeljeve izraelite.
Sipas njoftimit të Departamentit të Shtetit, takimi shënoi nisjen e Dialogut të Shtatë Strategjik SHBA–Katar dhe u përqendrua në forcimin e bashkëpunimit ekonomik dhe të sigurisë mes dy vendeve. Në deklaratë u riafirmua partneriteti strategjik mes Uashingtonit dhe Dohas, por nuk u përmendën drejtpërdrejt Gaza apo bisedimet për armëpushimin.
Takimi u zhvillua dy muaj pasi hyri në fuqi armëpushimi mes Izraelit dhe Hamasit në Gaza. Faza e parë përfshinte ndaljen e luftimeve, tërheqje të pjesshme izraelite, shkëmbime pengjesh dhe hyrjen e ndihmave humanitare.
Pas takimeve në Uashington, kryeministri i Katarit deklaroi për Al Jazeera se Doha ka ngritur shqetësime për shkeljet e përsëritura izraelite të armëpushimit, duke paralajmëruar se këto veprime po i vënë ndërmjetësit në një “pozitë të sikletshme”.
Ai theksoi gjithashtu se Katari nuk mbështet vendosjen e një force stabilizuese ndërkombëtare në Gaza që do të mbronte njërën palë në dëm të tjetrës. /mesazhi





