
Të paktën gjashtë persona janë vrarë ndërsa protestat kundër rritjes së fortë të kostos së jetesës janë përhapur në disa pjesë të Iranit. Sipas mediave shtetërore, viktima dhe të plagosur janë raportuar në qytete të ndryshme, përfshirë Azna dhe Lordegan, ku protestuesit u përplasën me forcat e sigurisë.
Demonstratat nisën fillimisht në mënyrë paqësore, por në disa zona u shoqëruan me dhunë, djegie objektesh dhe ndërhyrje të policisë me gaz lotsjellës. Autoritetet kanë konfirmuar gjithashtu vdekjen e një anëtari të forcave të sigurisë.
Presidenti iranian Masoud Pezeshkian ka pranuar se protestuesit kanë kërkesa të ligjshme lidhur me inflacionin dhe vështirësitë ekonomike, duke bërë thirrje për masa për përmirësimin e jetesës. Megjithatë, autoritetet kanë paralajmëruar se do të reagojnë ashpër ndaj çdo përpjekjeje për ta kthyer protestën në kaos apo dhunë. /mesazhi






