Dy rrugët që lidhin Kosovën dhe Serbinë vazhdojnë të jenë të bllokuara nga kamionët dhe veturat e vendosura nga banorët lokalë serbë edhe sot ditën e pestë, prej kur Qeveria e Kosovës ka nisur të zbatojë vendimin për reciprocitet me Serbinë për targat e automjeteve.
Të enjten tre kamionë të mëdhenj kanë bllokuar rrugën që dërgon për tek pika kufitare, duke pamundësuar lëvizjen e automjeteve drejt shtetit tjetër.
Derisa disa qindra metra larg pikës doganore po qëndrojnë pika të ndryshme kontrolli edhe të Njësisë speciale të Policisë së Kosovës.
Siç është raportuar se situata është dukshëm më e qetë në Bërnjak se në Jarinjë, derisa aty janë parë kohë pas kohe edhe patrullimet e KFOR-it dhe EULEX-it.
Lidhur me situatën ka reaguar një ditë më parë edhe ushtruesi i detyrës së ambasadorit të SHBA-së në Kosovë, Nicholas J. Giacobbe dhe ambasadori gjerman, Jorn Rohde.
Ushtruesi i detyrës së ambasadorit të SHBA-ve në Kosovë, Nicholas J. Giacobbe ka zhvilluar një takim me kryeministrin Albin Kurti, raporton Telegrafi.
Giacobbe, ka shkruar se ishte një takim i mbarë me kryeministrin Kurti mbi rëndësinë dhe riangazhimin në dialogun e lehtësuar nga BE-ja.
“Takim i mbarë me Kryeministrin Alin Kurt, mbi rëndësinë dhe riangazhimin në dialogun e lehtësuar nga BE për zgjidhjen e targave dhe çështje të tjera. Nevojiten hapa të menjëhershëm për të zvogëluar tensionet. Veprimet mund të kenë pasoja të padëshiruara që ndikojnë negativisht në jetën e përditshme të qytetarëve”, ka shkruar ambasadori Giacobbe në Twitter.
Ndërkaq, ambasadori i Gjermanisë në Prishtinë, Jorn Rohde, ka reaguar për gjendjen në veri të Kosovës, pas masës së reciprocitetit për targa të vendosur nga Qeveria e Kosovës.
Në një shkrim në Twitter, Rohde ka thënë se pajtohet plotësisht me thirrjen e të ngarkuarit me punë në Ambasadën e SHBA-së në Prishtinë, se duhet marrë hapa të menjëhershëm për të vendosur qetësinë në pjesën veriore të Kosovës.
Giacobbe gjatë takimit me Kurtin ka folur mbi rëndësinë dhe riangazhimin në dialogun e lehtësuar nga BE për zgjidhjen e targave dhe çështje të tjera.
“Nevojiten hapa të menjëhershëm për të zvogëluar tensionet. Veprimet mund të kenë pasoja të padëshiruara që ndikojnë negativisht në jetën e përditshme të qytetarëve”, ka shkruar ambasadori Giacobbe në Twitter.
Ndryshe, gjatë raundit të fundit të dialogut me Serbinë, të ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian, Kosova kishte paralajmëruar vendosjen e masës së reciprocitetit për targat.
Kjo ishte bërë e ditur nga zëvendëskryeministri Besnik Bislimi, i cili kishte thënë se marrëveshja për targat skadon më 15 shtator dhe se Kosova nuk do ta respektojë atë njëanshëm.
Pas pesë ditëve të skadimit të marrëveshjes, të hënën me 20 shtator – forca të mëdha policore u vendosën në pikën kufitare Jarinjë -Bërnjak për të zbatuar reciprocitetin. Dhe sipas kësaj veturat me targa të Serbisë do të mund të qarkullojnë në Kosovë vetëm nëse i heqin ato dhe pajisen me targa të përkohshme të Kosovës.
Qeveria e Kosovës ka thënë se të gjithë shoferët me targa të lëshuara nga Serbia, duhet të paguajnë 5 euro për targa të përkohshme dhe vlefshmëria e tyre është 60 ditë.