Dita e tretë, Qeveria e vendosur ta zbatojë reciprocitetin për targat

Po bëhen tri ditë që kur Kosova ka filluar të zbatojë masën e reciprocitetit me Serbinë për targat, ku si rrjedhojë dy rrugë, që lidhin Kosovën dhe Serbinë mbeten të bllokuara nga serbë lokalë, që po e kundërshtojnë këtë masë.

Lidhur me situatën e shkaktuar në veri, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, të martën, më 21 shtator u takua me ambasadorët e QUINT-it.

Sipas një njoftimi për media të Zyrës së Kryeministrit, Kurti tha se në Jarinjë dhe Bërnjak qytetarët serbë vazhdojnë t’i mbajnë të bllokuara rrugët, por sipas tij, njësitë speciale të Policisë së Kosovës “janë aty vetëm për të mbrojtur policinë kufitare dhe vendkalimet kufitare”.

“Te ky reciprocitet i targave të përkohshme për vetura ose Kosova dhe Serbia kanë të dyja të drejtë, ose e kanë të dyja gabim. Pra, ose do t’i mbajmë aso lloj targash të dyja shtetet, ose le t’i heqim ato edhe Kosova edhe Serbia”, tha Kurti.

“Ambasadorët dhe kryeministri Kurti u pajtuan që duhet ruajtur paqen dhe qetësinë, stabilitetin dhe sigurinë, dhe se dialogu duhet të vazhdojë e situata duhet të de-eskalojë”, thuhet në njoftim, ku përveç ambasadorëve të QUINT-it mori pjesë edhe shefi i misionit të Bashkimit Evropian në Prishtinë, Tomas Szunyog.

Ky takim i Kurtit me QUINT-in vjen pak orë pasi në Serbi, presidenti serb, Aleksandar Vuçiq mblodhi Këshillin e Sigurisë Kombëtare për shkak të gjendjes së krijuar nga vendimi i 20 shtatorit për reciprocitetin për targat.

Qytetarët serbë kanë vazhduar protestën edhe gjatë të martës, derisa situata vazhdon të jetë e qetë.

Edhe ministrja e Punëve të Jashtme, Donika Gërvalla ka folur për vendimin rreth reciprocitetit për targat.

Ajo ka thënë se vendosja e reciprocitetit sa i përket targave me Serbinë, është “në përputhje me marrëveshjen e nënshkruar nga të dyja palët në Bruksel”.

Gërvalla ka thënë se “tensioni i shkaktuar duhet të shihet si veprim i njëanshëm i Serbisë”.

Ndryshe, gjatë raundit të fundit të dialogut me Serbinë, të ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian, Kosova kishte paralajmëruar vendosjen e masës së reciprocitetit për targat.

Kjo ishte bërë e ditur nga zëvendëskryeministri Besnik Bislimi, i cili kishte thënë se marrëveshja për targat skadon më 15 shtator dhe se Kosova nuk do ta respektojë atë njëanshëm.