Dita Ndërkombëtare e Paqes

Dita Ndërkombëtare e Paqes festohet në mbarë botën çdo vit më 21 shtator. E themeluar në vitin 1981 me rezolutë unanime të Kombeve të Bashkuara, Dita e Paqes siguron një datë të përbashkët globalisht për të gjithë njerëzimin për t’u përkushtuar ndaj Paqes dhe për të kontribuar në ndërtimin e një Kulture të Paqes. Por çfarë do të thotë “Paqe”? Përse festojmë për “Paqen”? Si mund të përhapet “Paqja” nëpër botë? Cili është koncepti dhe botëkuptimi i “Paqes” në Islam dhe në Kuran?

Dita Ndërkombëtare e Paqes është themeluar (vendosur) në vitin 1981 nga Asambleja e Kombeve të Bashkuara, e cila u bën thirrje të gjithë kombeve dhe popujve që të respektojnë njëra-tjetrën dhe të ndërpresin armiqësinë në këtë ditë. Në këtë ditë, duhet të promovohet “Paqja”, mësimet dhe parimet e saj.

Çfarë është “Paqja”?

Faqja zyrtare e “Ditës Ndërkombëtare të Paqes” e përkufizon termin “Paqe” si: mungesa e trazirave, akteve të dhunës e të luftrave, si terrorizmi, konfliktet fetare, sektare apo rajonale për shkak të politikës, ekonomisë apo etnisë. Përkufizimi i termit “Paqe” përkufizohet edhe si siguri, stabilitet dhe harmoni. Sipas këtij përkufizmi, “Paqja” është një situatë pozitive që të gjithë njerëzit anembanë botës e dëshirojnë dhe si rrjedhojë e kësaj ata bëjnë marrveshje për të arritur sigurinë, stabilitetin dhe harmoninë.

Paqja nënkupton kulturën e dialogut, tolerancës dhe parandalimit. Sipas organizatës “World Beyond War” me “Paqe” nënkuptohet një sërë sjelljesh dhe qëndrimesh të ndryshme që e shtyjnë njeriun të respektojë qëniet e tjera njerëzore, të mos i ofendojë, të mos i sulmojë, të mos ushtrojë dhunë ndaj tyre dhe të pranojë dallimet midis njerëzve.

Promovimi i “Paqes”

Realiteti i ditëve të sotme ka dëshmuar se roli i Kombeve të Bashkuara në këtë kontekst nuk ka qenë kurrë aq i rëndësishëm sa është sot. Axhenda për Zhvillim të Qëndrueshëm për vitin 2030 pohon se “Nuk ka asnjë mënyrë për të arritur zhvillim të qëndruesëm pa paqe dhe nuk ka asnjë mënyrë për të vendosur paqen pa Zhvillim të Qëndrueshëm”. Duke u nisur nga kjo frymë, Këshilli i Sigurimit dhe Asambleja e Përgjithshme e OKB-së miratuan rezolutat e tyre në vitin 2016 për “mbrojtjen e paqes”. Në këtë rrugë të vështirë, duhet të miratohet një projekt i ri gjithëpërfshirës për ekzaminimin e shkaqeve rrënjësore të problemeve, për konsolidimin e sovranitetit të ligjit dhe për miratimin e Zhvillimit të Qëndrueshëm, bazuar në dialog dhe respekt. E gjithë veprimtaria e organizatës “UNESCO” është e orientuar drejt këtij projekti në të gjitha aspektet duke synuar paqen nëpërmjet edukimit, arsimit, lirisë së shprehjes, kulturës së dialogut ndërkulturor, respektimit të të drejtave të njeriut, diversitetin kulturor dhe promovimit të bashkëpunimit shkencor.

Slogani i vitit 2022 “Fundi i racizmit dhe ndërtimi i Paqes”:

Slogani i përzgjedhur nga Kombet e Bashkuara për vitin 2022 ishte “Fundi i racizmit dhe ndërtimi i Paqes” E vërteta ëshë se racizmi helmon shoqëritë, i jep krah diskriminit dhe stimulon dhunën. Kështu që racizmi dhe gjuha e urrejtjes duhet të luftohen. Në një citat që mbështet këtë nismë ne lexojmë: “Ne duhet t’i japim fund racizmit dhe duhet të ndërtojmë paqen, sepse racizmi helmon zemrat dhe mendjet e njerëzve, minon themelet e paqes që duam dhe grabit të drejtat dhe dinjitetin e njerëzve. Racizmi nxit pabarazinë, humb besimin dhe i largon njerëzit më shumë nga njëri-tjetri, sakaq ne duhet të jemi të bashkuar si një familje për të rregulluar këtë botë të copëtuar.. E vërteta qëndron se nëse duam të arrijmë paqen duhet një mund tepër i madh dhe nuk mjafton vetëm të nxjerrësh armët. Duhet të formohen komunitete ku të gjithë anëtarët e tyre të mendojnë se po avancojnë drejt progesit. Kjo kërkon që njerëzit të trajtohen në mënyrë të barabartë, pavarësisht se i përkasin racave të ndryshme.”

“Paqja” sipas Islamit:

Është e paperceptueshme që ne të flasim për paqen dhe mos të flasim për Islamin. Të flasësh për paqen sipas Islamit, ti nuk mund ta përfshish nocionin e saj në një artikull apo studim, megjithatë ajo që mund të themi me bindje të plotë është fakti se Islami është feja e paqes. Sheriati islam e ka lidhur të gjithë jetën e muslimanit me paqen duke thirrur të gjithë muslimanët për tek ajo. Allahu i Madhëruar thotë: “O ju të cilët keni besuar, hyni në fe (fenë e paqes) në tërësi!”[1] Fjala arabe “Silm” e përmendur në këtë ajet kuranor ka tre kuptime: 1 – siguri, me shpëtuar nga çdo gjë e keqe apo e dëmshme, 2 – paqe, si për shembull kur ti e pyet dikënd dhe i thua: ti je paqedashës apo luftëtar. 3 – paqe dhe ujdi. Të trija këto kuptime të fjalës “silm” përputhen plotësisht me fenë islame. Kështu që sipas këtij ajeti kuranor, Allahu i Madhëruar i urdhëron muslimanët që të jenë gjithmonë paqësorë, të shuajnë grindjet, dhunën dhe luftën midis tyre. Para shpalljes, arabët – midis tyre – kanë pasë zhvilluar luftra të përgjakshme për dekada më rradhë dhe shkaku i ndezjes së këtyre luftrave ka qenë për gjëra krejt banale dhe shumë qesharake. Kjo gjendje vazhdoi kështu derisa Allahu i Madhëruar solli Islamin, i cili e çrrënjosi këtë princip të periudhës së injorancës, duke e zëvendësuar me principin e paqes, moralit dhe mirësjelljes, larg luftrave dhe konflikteve. Për fat të keq, në ditët e sotme, ka akoma njerëz që mendojnë se Islami është feja e dhunës, e shpatës dhe e terrorit. E e vërteta qëndron se paqja është themeli i marrdhënieve të muslimanëve me njëri-tjetrin dhe me të tjerët. Madje edhe xhihadi është një mekanizëm për të sjellë paqen duke i ardhë në ndihmë atyre që janë të shtypur. Lufta, asnjëherë nuk ka qenë qëllim për muslimanët, përkundrazi ajo ka qenë një mekanizëm për të shmangur dëmet, për t’u përballur me padrejtësinë, për të përhapur drejtësinë, të vërtetën dhe paqen.

Fjala arabe “silm” që në shqip pëkthehet “paqe” bashkë me derivatet e saj është cituar 144 herë në Kuran, kurse fjala arabe “harb” që në shqip përkthehet “luftë” bashkë me derivatet e saj është cituar vetëm 6 – të herë. Fjala “paqe” në fjalorin e të Dërguarit të Allahut (a.s) i përfshin të gjitha dimensionet e kësaj fjale, si sigurinë, paqen, harmoninë, tolerancën, mëshirën..etj, ndryshe nga lufta e cila nënkupton dhunë, terror, agresion..etj, gjë të cilën ai (a.s) e ka pasë refuzuar totalisht. Madje është transmetuar se ai (a.s) e ka pasë urryer që dikush të quhej “Harb” (Luftë). Aliu (r.a) tregon: “Kur lindi Hasani, ia vura emrin “Harb”. I Dërguari i Allahut (a.s) erdhi dhe tha: Ma tregoni nipin tim! Si ia vutë emrin? Harb – u përgjigja unë. Ai (a.s) tha: Jo, quajeni atë Hasan. Kur lindi Hysejni, ia vura emrin “Harb”. I Dërguari i Allahut (a.s) erdhi dhe tha: Ma tregoni nipin tim! Si ia vutë emrin? Harb – u përgjigja unë. Ai (a.s) tha: Jo, quajeni atë Hysejn. Kur lindi djali i tretë, ia vura emrin “Harb”. I Dërguari i Allahut (a.s) erdhi dhe tha: Ma tregoni nipin tim! Si ia vutë emrin? Harb – u përgjigja unë. Ai (a.s) tha: Jo, quajeni atë Muhsin. Pastaj ai (a.s) tha: Ju i keni quajtur djemtë tuaj si djemtë e Harunit me të njëjtën metrikë: Shaber, Shybejr dhe Mushebbir.”[2]

Arsyet se përse Islami është feja e paqes

1 – Para së gjithash vetë fjala “islam” rrjedh nga fjala arabe “silm” që do të thotë paqe, qetësi, rehati dhe përmirësim.

2 – Slogani i Islamit është “Paqe” dhe madje kur muslimanët takohen e përshëndesin njëri tjetrin me fjalët: “Es Selamu Alejkum” “Ue alejkum selam” që do të thotë: “Paqja e Allahut qoftë me ju.” Madje vetë Allahu i Madhëruar do t’i përshëndesë muslimanët me fjalën “Paqe”. Allahu i Madhëruar thotë: “Përshëndetja e tyre, kur ta takojnë atë është Paqe”[3] Po ashtu edhe engjëjt, Allahu i Madhëruar thotë: “Dhe engjëjt do të hyjnë tek ata nga çdo derë e Xhenetit e do t’u thonë: Paqja qoftë mbi ju, për durimin që keni treguar në jetën e kësaj bote. Sa vendbanim i bukur që është ky.”[4] Po ashtu besimtarët në Xhenet do ta përshëndesin njëri-tjetrin me “Paqe”. Allahu i Madhëruar thotë: “Aty nuk do të dëgjojnë llomotitje, por vetëm fjalë përshëndetje për paqe.”[5]

3 – “Es Selam” (Paqedhënësi) është një prej emrave dhe atributeve të Allahut. Allahu i Madhëruar thotë: “Ai është Allahu, përveç të Cilit nuk ka zot tjetër. Ai është Sunduesi, i Shenjti, Paqedhënësi, Dhënësi i sigurisë, Mbikëqyrësi mbi gjithçka, I Plotfuqishmi, Imponuesi, Madhështori. Qoftë i lartësuar Allahu mbi gjithçka që ia shoqërojnë Atij.”[6]

4 – Nata e Kadrit që është me e mirë se 1000 muaj është nata e “Paqes”. Allahu i Madhëruar thotë: “Paqe është ajo deri në lindjen e agimit.”[7]

5 – Vula e profetëve, Muhamedi (a.s) ka qenë mbartësi i flamurit të “Paqes” sepse ai është udhëzuesi i njerëzve në rrugë të drejtë, ka përhapur mëshirën, paqen, sigurinë dhe tolerancën tek të gjithë njerëzit. Allahu i Madhëruar thotë: “Dhe nuk të kemi dërguar ty (o Muhamed), veçse si mëshirë për botët.”[8] Pra Islami ka ardhur me mesazhin e mëshirës dhe paqes për mbarë njerëzimin.

6 – Fjala “Selam” “Paqe” në namaz përsëritet disa herë. Në Ettehijjat, muslimani thotë: “Es selamu alejke ej juhen nebijju ue rahmetullahi ue berekatuhu” “Paqja, mëshira dhe bekimi i Allahut qoftë për ty o i Dërguar.” Po ashtu muslimani lutet dhe për vete: “Es selamu alejna ue ala ibadil lahis salihin” “Paqja e Allahut qoftë për ne dhe për robërit e mirë të Allahut.” Dhe në fund të namazit, muslimani thotë: “Es selamu alejkum ue rahmetullahi ue berekatuhu” “Paqja, mëshira dhe bekimi i Allahut qoftë për ju”

7 – Një prej emrave të Xhenetit është “Darus Selam” “Shtëpia e Paqes.” Allahu i Madhëruar thotë: “Ata do të kenë Shtëpinë e Paqes te Zoti i tyre.”[9] E banorët e Xhenetit nuk do të dëgjojnë dhe nuk do të flasin vetëm se gjuhën e “Paqes”. Allahu i Madhëruar thotë: “Aty nuk do të dëgjojnë llomotitje, por vetëm fjalë përshëndetje për paqe.”[10]

8 – E kur njerëzit e paditur i ngacmojnë besimtarët, reagimi i besimtarëve është vetëm “Paqe”. Allahu i Madhëruar thotë: “Robërit e të Gjithëmëshirshmit janë ata që ecin thjesht nëpër Tokë dhe, kur të paditurit i sulmojnë me fjalë, ata përgjigjen: Paqe.”[11]

[1] – Sure Bekare: 208.

[2] – Ahmedi (769). Hadithi është Hasen

[3] – Sure Ahzab: 44.

[4] – Sure Ra’d: 23-24.

[5] – Sure Merjem: 62.

[6] – Sure Hashr: 23.

[7] – Sure Kadr: 5.

[8] – Sure Enbija: 107.

[9] – Sure En’am: 127.

[10] – Sure Merjem: 62.

[11] – Sure Furkan: 63.