DnV: Deri në ora 12.00 votuan 10.7 për qind e qytetarëve

Demokracia në Veprim në konferencën e dytë për media, ka bërë të ditur se deri në ora 12.00, kanë votuar 10.7 për qind e qytetarëve me të drejtë vote.

Veton Muja nga DnV, tha se deri në mesditë dalja e votuesve në Gjakovë është 12.6 për qind, në Prishtinë 13.19 për qind, Prizren 8.56 për qind, Mitrovicë 11.34 për qind, Gjilan 7.88 për qind dhe Ferizaj 11.24 për qind.

 

Muja përmendi vështirësitë e votuesve për të gjetur emrin e tyre në listën e votuesve. Ankesat për mos gjetjen e emrit në vendvotime janë diku në 107 vendvotime, apo në 6 për qind të vendvotimeve në nivel të Kosovës.

Kjo problematikë më së shumti është raportuar në Podujevë me 15 raste, në Mitrovicë në 12 vendvotime, në Gjakovë e Prishtinë në dhjetë raste. E si çështje tjetër përmendi dhe votimin familjar dhe pse në numër më të vogël krahasuar me herët e kaluara.

Si parregullsi, Muja përmendi dhe asistimin e votuesve më shumë se njëherë, publikimi i votës, prania e personave të pa autorizuar në vendvotime, ku prin Podujeva me 4 vendvotime dhe Prishtina dhe Mitrovica me nga 2 vendvotime.

 

Ndërsa tentim për të votuar më shumë se njëherë, apo votimi i dyfishtë Muja tha se ka pasur gjithsej në tri vendvotime dhe kjo në tri komuna të veçanta, në Podujevë, Klinë dhe Mitrovicë.