Dosja e Shefave IX: Shteti në shërbim të djemve të Adem Grabovcit

Djemtë e Adem Grabovcit, kishin qasje të pakufizuar në kabinetet e ministrave. Ata, kishin autorizime nga i ati që shokun e tyre, Fidanin ta punësonin në Ministrinë e Integrimeve Evropiane.

Këtë ministri e kishte zgjedhur vetë Grabovci për shokun e djemve të tij, Guximit e Ngadhënjimit.

Aty, sipas Grabovcit, e kishte më së miri.

Fidani nuk e dinte anglishten, që ishte njëra prej kritereve të punësimit. Por, ky kriter binte poshtë për të.

Insajderi sjell biseda të përgjuara telefonike të Grabovcit me djemtë e tij si dhe ish-ministren e Integrimeve, Vlora Çitaku, e cila aktualisht është ambasadore e Kosovës në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Një seri përgjimesh për këtë rast, zbulon veprimet e protagonistëve që Fidani të zinte vend në Ministrinë e Integrimeve.

“Babush, Ky Fidani tha, kallxoi…, axhit Adem se ‘unë me anglisht nuk jom fortë mirë’”, i thotë Guximi, të atit me telefon.

“Psee? Qy… s’ka randësi thuj.. anglishten thuj kape mso”, e këshillon Grabovci.

“Po i thash unë i thash. A e din pak a shumë? Tha ‘paj e di kshtu si elementare nuk jes keq’, po tha ‘qysh e lypin ata nuk e di’. Thash e mson. Tha, ‘ani tha t’paktën veç kallxoi axhit Adem që… toni mos me bo, mos mi.. A po din, tha mos mi thonë dikush valla jo s’po e dika, anena e nena”, sqaron Guximi.

“Hajt hiç mos ki dert ti”, ia kthen Grabovci.

Grabovci ndërkohë kishte folur me ish-ministren Vlora Çitaku. Ata ishin marrë vesh se pasi të kthehet ajo nga Amerika, ta priste Ngadhënjimin dhe Fidanin në zyrë.

“Fola djali jem, po, a bohet vonë mas ni jave”, e pyet Grabovci të birin.

“Jo se kom problem, veç po foli me Fidanin pra, po i kallxoj”, ia kthen Guximi.

“Fol me Fidanin se… udh.. ka.. udhëton prapë për Amerikë”, e udhëzon Grabovci.

“Unë po du me ta drejtpërsdrejti me.. le t’jetë n’kontakt. A përndryshe muj me e çu edhe najkun tjetër, po aty e ka ma mirë”, vazhdon ai.

Grabovci, i kishte telefonuar Vlora Çitakut për këtë çështje. Ajo pa më të voglin hezitim miraton kërkesën e “Shefit” siç e quan Grabovcin.

“A ti thom Ngadhnjimit me ardh dej te ti, për ni djalë, ni shok tinaj, për… edhe vendas temin, për praktikant”, i thotë Grabovci, Çitakut.

“Po more qysh jo”, ia kthen ajo.

“Unë qitash, s’jom n’zyrë me t’kallxu drejtën. Jom t’u dal, po edhe kom… a duhet sot gjithqysh? … Unë nesër ka me shku n’Amerikë, n’mëngjes, e a bon kur t’kthena prej Amerikës, sot ni javë”, e pyet Çitaku, Grabovcin.

Pas një jave, Guximi i telefonon të atit për ta pyetur nëse ishte kthyer ministrja prej Amerikës. Grabovci i tregon se është kthyer dhe se gjithçka është gati.

Në një bisedë tjetër, Adem Grabovci i thotë të birit që ta porosis Fidanin për të shkuar në Ministri. Atje do ta priste ministrja, Vlora Çitaku.

“M’thirri ky Fidani, djali i Demës bre… E tha ka.. dej ka n’sa punojnë (në Ministri të Integrimeve Evropiane) për me shku? Fol thash me Ngadhnjimin thash, shko me ta se unë jom n’shkollë”, i thotë Guximi të atit.

Grabovci e udhëzon që të shkojë direkt në Ministri.

“A me e lyp Vlorën a?”, e pyet Guximi.

“Po”, ia kthen Grabovci. “Ministreshen, Adem Grabovci le t’thotë”, vazhdon ai.