Dosja e Shefave XIII: Plani i Grabovcit për kontrollimin e tre milionë eurove të një ndërmarrjeje

Nënkryetari i PDk-së, Adem Grabovci kishte folur hapur me një bashkëveprimtar të çështjes kombëtare për përfitime të mëdha materiale. Ata planifikonin që në krye të një ndërmarrje që kishte mbi tre milion euro të hyra, të dërgonin njeriun e tyre, i cili do të kishte qasje në para. Kjo bisedë ka përmbajtje të theksuar të zhvatjes, shantazhit, ushtrimit të ndikimit e përfitimeve tjera financiare. Është një prej bisedave që protagonistët flasin hapur për përfitimet e tyre materiale dhe interesat personale në kurriz të pasurisë dhe parasë publike.

Adem Grabovci ia kishte vënë syrin një ndërmarrjeje në rajonin e Dukagjinit që kishte tre milion euro të hyra në vit.

Për të kontrolluar paranë, ai do të dërgonte në një pozitë të lartë udhëheqëse njeriun e tij, të quajtur Bujar.

Bujari, do t’i raportonte vazhdimisht Grabovcit për qarkullimin e parasë. Për të ndërmarrë këto veprime, Grabovci ishte këshilluar nga një person i quajtur Ismet, i cili kishte qenë në burg së bashku me Grabovcin gjatë viteve të ’80-ta.

Pushteti i Grabovcit dhe i Partisë Demokratike mbi ndërmarrjet publike e komunale në rrafshin e Dukagjinit, duke nisur nga Peja, Deçani, Gjakova e Prizreni, dëshmohet në një bisedë të përgjuar telefonike që zgjatë mbi dhjetë minuta.

Gazeta Online Insajderi sjell të plotë këtë bisedë me përmbajtje të theksuara të zhvatjes, shantazhit, ushtrimit të ndikimit e përfitimeve tjera financiare.