Transmetohet nga Ebu Seid el-Hudri (r.a), i cili thotë: Ndërsa i Dërguari i Allahut (a.s) ishte ulur, erdhi një hebre dhe tha: “O Ebu el-Kasim! Një nga shokët e tu më ka goditur në fytyrë.” Profeti (a.s) tha: “Kush?” Ai tha: “Një burrë nga ensarët.” Profeti (a.s) tha: “Thirreni atë.” Kur erdhi, e pyeti: “A e ke goditur?” Ai tha: “E dëgjova në treg duke u betuar: ‘Pasha Atë që e ka zgjedhur Musain mbi njerëzit.’ Unë i thashë: ‘O i poshtër! Edhe mbi Muhamedin (a.s)? Më pushtoi zemërimi dhe e godita në fytyrë.” Profeti (a.s)tha: “Mos i vini profetët në krahasim me njëri-tjetrin.”[1]
Në këtë ngjarje ka shumë domethënie të rëndësishme:
Hebreu kërkon gjykim te i Dërguari i Allahut (a.s). Kjo tregon se ai ishte i sigurt se Profeti (a.s) do t’ia jepte të drejtën e tij plotësisht. Vetë ankesa tregon se dëmtimi i një hebreu ishte diçka e pazakontë dhe e papranueshme në shoqërinë e Medinës. Prandaj hebreu erdhi menjëherë për t’u ankuar për atë që e kishte goditur.
Profeti (a.s) e pyeti menjëherë: “Kush?” Ai u përgjigj se ishte një nga ensarët. Atëherë Profeti (a.s) urdhëroi që të sillej për të kuptuar rrethanat e ngjarjes. Hebreu kishte përmendur vetëm se sahabiu e kishte goditur në fytyrë.
Kur erdhi sahabiu, ai tregoi se çfarë kishte ndodhur. Pa paragjykuar hebreun në atë që tha, duket se hebreu kishte bërë një provokim ndaj myslimanëve, sepse nuk e kishte thënë këtë fjalë në vendin e adhurimit apo në shtëpinë e tij, por në treg ku kishte shumë myslimanë. Kjo e zemëroi sahabiun dhe ai e goditi.
Megjithatë, Profeti (a.s) nuk e qortoi hebreun për faktin se e kishte thënë publikisht diçka që mund t’i zemëronte myslimanët dhe të shkaktonte përçarje, madje mund të rrezikonte sigurinë e Medinës dhe të shkelte marrëveshjen mes palëve. Sipas marrëveshjes, të gjithë duhej të bashkëpunonin për ruajtjen e sigurisë së qytetit dhe secili kishte të drejtë të praktikonte fenë e vet, ndërsa të tjerët duhej ta respektonin atë.
Por Profeti (a.s) dha një këshillë shumë të rëndësishme për të gjitha palët: të mos krahasohen profetët mes tyre, në mënyrë që të shmangej përçarja dhe të mos përsëritej një ngjarje e tillë.
Nëse hebreu do të kishte pasur ndonjë të drejtë, Profeti (a.s) do t’ia kthente atë pa bërë asnjë lloj favorizimi për askënd, sepse marrëveshja parashikonte mbështetjen e të shtypurit.
– Në një rast tjetër, Profeti (a.s) shkoi vetë te një hebre për të ndërmjetësuar për Xhabir ibn Abdullah ibn Haramin (r.a). Xhabiri ishte një nga sahabët e nderuar. Ai kishte marrë hua nga një hebre dhe kur erdhi koha e shlyerjes së borxhit, nuk kishte me çfarë ta paguante.
Xhabiri tregon:
“Një hebre në Medinë më jepte hua kundrejt hurmave që do t’ia ktheja në kohën e vjeljes. Një vit nuk pati prodhim dhe kur erdhi koha e vjeljes hebreu erdhi të kërkonte borxhin. Unë i kërkova ta shtynte deri vitin tjetër, por ai refuzoi. Kjo iu tregua Profetit (a.s) dhe ai u tha shokëve: Le të shkojmë t’i kërkojmë hebreut që t’i japë afat Xhabirit. Profeti (a.s) erdhi në kopshtin tim me hurma dhe filloi t’i fliste hebreut, por ai tha: “O Ebu el-Kasim, nuk do t’i jap afat.” Profeti (a.s) u ngrit, eci mes palmave, pastaj u kthye dhe i foli përsëri, por ai përsëri refuzoi. Pastaj Profeti (a.s) tha: O Xhabir, vili hurmat dhe paguaje borxhin. Unë i vola hurmat dhe pagova borxhin, madje mbeti edhe tepricë. Pastaj shkova te Profeti (a.s) dhe i tregova lajmin e mirë. Ai tha: Dëshmoj se unë jam i Dërguari i Allahut.”[2]
Kjo është një histori e jashtëzakonshme: Xhabiri merr hua nga një hebre, nuk ka me çfarë ta paguajë dhe i kërkon shtyrje të afatit. Hebreu refuzon. Profeti (a.s) ndërmjetëson për të, por hebreu nuk e pranon ndërmjetësimin.
Megjithatë, Profeti (a.s) nuk e detyroi hebreun ta pranojë ndërmjetësimin. Edhe pse ai ishte udhëheqësi i Medinës dhe i Dërguari i Allahut (a.s), nuk e përdori autoritetin e tij për ta detyruar atë.
Ai nuk mendoi për imazhin e tij para njerëzve, nuk mendoi për dashurinë që kishte për Xhabirin dhe as për historinë armiqësore të hebrenjve me myslimanët. Ai mendoi vetëm për një gjë:
vendosjen e drejtësisë në formën më të lartë.
E drejta ishte me hebreun dhe borxhi duhej paguar.
Ky është Islami i vërtetë.
Kjo nuk ishte një sjellje e shtirur nga Profeti (a.s), por zbatimi i natyrshëm i parimeve të fesë. Allahu i Madhëruar thotë: “O ju që keni besuar! Jini të palëkundur në drejtësi, dëshmitarë për Allahun, edhe nëse është kundër vetvetes suaj, kundër prindërve ose të afërmve…”[3]
– Një ngjarje tjetër ndodhi kur një burrë nga myslimanët e fisit Benu Ubejrik vodhi një parzmore nga një fqinj mysliman dhe e fshehu në shtëpinë e një hebreu. Kur parzmorja u gjet te hebreu, ai tha se ia kishte dhënë ai myslimani.
Disa nga fisi i vjedhësit shkuan te Profeti (a.s) dhe kërkuan që ai ta mbronte njeriun e tyre dhe ta akuzonte hebreun. Profeti (a.s) për një moment mendoi se hebreu ishte fajtori, sepse provat e dukshme ishin kundër tij.
Por atëherë zbriti shpallja nga Allahu, ajetet e sures Nisa (105-112) që treguan se hebreu ishte i pafajshëm dhe se vjedhësi ishte myslimani.
Profeti (a.s) nuk e fshehu këtë fakt. Ai shpalli hapur se hebreu ishte i pafajshëm dhe se vjedhësi ishte myslimani.
Kjo nuk ishte një gjë e lehtë: të shpallje pafajësinë e një hebreu dhe fajin e një myslimani nga ensarët. Megjithatë drejtësia duhej të vendosej.
Prandaj shtrohet pyetja: A ekziston në historinë e ndonjë populli tjetër një drejtësi e tillë si ajo e Islamit?
A ka arritur ndonjë udhëheqës në histori atë nivel të paanshmërisë dhe drejtësisë që arriti i Dërguari ynë hazreti Muhamed (a.s), edhe në marrëdhëniet me njerëz që nuk i përkisnin fesë së tij?
Një shembull tjetër tregon këtë drejtësi.
– Transmetohet nga Ibn Ebu Hadred el-Eslemi se një hebre kishte një borxh prej katër dirhemësh ndaj tij dhe u ankua te Profeti (a.s) duke thënë: “O Muhamed, ky më ka katër dirhemë borxh dhe nuk po m’i jep.” Profeti (a.s) i tha sahabiut: “Jepi të drejtën e tij.” Ai tha: “Pasha Atë që të dërgoi me të vërtetën, nuk kam me çfarë ta paguaj.” Profeti (a.s) tha përsëri: “Jepi të drejtën e tij.” Ai tha: “Ne do të shkojmë në Hajber dhe shpresoj të fitojmë diçka në luftë që ta paguaj borxhin.” Profeti (a.s) tha për herë të tretë:
“Jepi të drejtën e tij.” Kur Profeti (a.s) e përsëriste një gjë tri herë, nuk lejohej kundërshtim. Sahabiu shkoi në treg, hoqi rrobën që kishte veshur dhe e shiti për katër dirhemë për të paguar borxhin. Një grua e moshuar e pa dhe i dha një rrobë tjetër për ta veshur.
Ky është një qëndrim i mrekullueshëm i të Dërguarit të Allahut (a.s): Ai nuk favorizonte askënd në kurriz të së drejtës.
E drejta ishte e hebreut dhe duhej t’i kthehej.
Profeti (a.s) nuk tha asgjë tjetër përveç dy fjalëve të qarta: “Jepi të drejtën e tij.”
Ai e përsëriti këtë tri herë për ta mbyllur çdo debat.
Sahabiu i varfër nuk kishte zgjidhje tjetër veçse të shiste një pjesë të rrobave të tij për ta paguar borxhin dhe për t’ia kthyer të drejtën pronarit të saj.
Një fe, pasuesit e së cilës kanë një moral të tillë, meriton të meditohet dhe të studiohet thellë.
Dhe njerëzit që arrijnë të zbatojnë në realitet këto parime dhe vlera janë me të vërtetë të denjë për të udhëhequr botën.
Autor: Ragib Serxhani
Përktheu: Elton Harxhi
By: ardhmëriaonline.com
[1] – Buhariu dhe Muslimi.
[2] – Buhariu.
[3] – Sure Nisa; 135.







