Drejtori ekzekutiv i Toyota tregon pse nuk beson te veturat sportive elektrike

Presidenti i bordit drejtues të Toyotës, Akio Toyoda, është një njeri që i do veturat sportive.

Në një intervistë për Automotive News, ai deklaroi se “për mua, një veturë sportive është ajo që ka aromë benzine dhe motor të zhurmshëm”.

Ai pranon se brenda kompanisë ka njerëz që përpiqen të krijojnë një veturë elektrike argëtuese, por vetë do të preferonte të qëndronte te motori i mirë i vjetër me djegie të brendshme. Nuk është se është plotësisht kundër idesë së një veture sportive elektrike – por siç thotë vetë, të gjithë kemi përparësitë tona.

Akio Toyoda nuk është një drejtues i zakonshëm që kalon gjithë ditën në zyrë. Ai është “piloti kryesor” i Toyotës me një alter ego: Morizo. Këtë emër e mori në vitin 2007 për garën 24-orëshe të qëndrueshmërisë në Nürburgring dhe e përdor që atëherë.

Toyoda pranon se garat me vetura elektrike nuk janë emocionuese, sepse bateria nuk mban gjatë në pistë.

Me fjalë të tjera, presidenti i kompanisë pohon se teknologjia elektrike aktualisht nuk është në nivelin e duhur për gara, duke shtuar se më shumë do të bëhej fjalë për një garë kohe për karikimin apo ndërrimin e baterive.