Drejtori i Policisë: Nuk ka pasur kurrfarë marrëveshje për largimin e grupit terrorist nga Banjska

Drejtori i përgjithshëm i Policisë së Kosovës, Gazmend Hoxha, tha se Kosova ka fakte, të cilat dëshmojnë se shteti i Serbisë dhe Ushtria e Serbisë i kanë dhënë mbështetje të plotë ish-nënkryetarit të Listës Serbe, Millan Radoiçiq, i cili ka organizuar dhe ka marrë pjesë në sulmin ndaj Policisë së Kosovës më 24 shtator në Banjskë, ku u vra rreshteri Afrim Bunjaku.

Hoxha tha se qëllimi i tyre ka qenë të krijohet një realitet i ri në Kosovë.

Ai bëri të ditur se po hetohet edhe përfshirja e mundshme e disa personave që mund të jenë nga Rusia.

“Disponojmë me informacione inteligjente, që kanë qenë publike edhe më herët. Shenjat ‘Z’ janë parë nëpër veriun e Kosovës, parullat që janë shkruar nga Brigada e Veriut dhe Mbrojtja Civile, ka pasur shenja të tilla. Dhe ka pasur mbështetje të vazhdueshme prej grupeve që kanë shkuar të luftojnë në Ukrainë, po ashtu personat që kanë shkuar të luftojnë vullnetarisht në anën e Rusisë janë persona prej Serbisë. Ajo që mund të konfirmojmë është se disa prej armëve dhe pajisjeve që janë konfiskuar, janë të prodhimit rus. Motorët katër-rrotësh që janë konfiskuar, janë prodhim rus dhe duket se janë dhënë donacion për ushtrinë dhe policinë e Serbisë nga Rusia”, tha Hoxha, në intervistë për Radion Evropa e Lirë.

Ai tha se Polica ka arritur të identifikojë mbi 30 persona që kanë qenë aktiv në sulmin e armatosur në Banjskë në ditën kritike.

Hoxha tha se po vazhdon identifikimi i të gjithë personave të përfshirë në sulmin terrorist.

Ai tha se nuk ka pasur asnjë marrëveshje, apo koordinim për ikjen e grupit terrorist nga Banjska.

“Nuk ka pasur kurrfarë marrëveshje. Ne u kemi kërkuar atyre disa herë që të dorëzohen, por ata nuk kanë pranuar dhe kanë shtënë disa herë me armë zjarri në drejtim tonë. Pra nuk ka pasur kurrfarë komunikimi për krijimin e korridorit për largimin e tyre. Kemi komunikuar me mbikëqyrësin e Manastirit të Banjskës, atin Danillo, por nuk ka arritur t’i bind. Por, ne nuk mund të lejojmë që dikush që vret policin e Kosovës, ne t’i krijojmë mundësi që të ikë pa dhënë [përgjegjësi për veprën e kryer. Terreni që është shumë i thyer, u ka mundësuar atyre që të tërhiqen”, tha Hoxha.

Gjatë intervistës, Hoxha foli edhe për bashkëpunimin me KFOR-it gjatë sulmit në veri, si dhe sfidat në monitorimin e vijës kufitare mes Kosovës dhe Serbisë.