Dronët Bayraktar arrijnë në Kosovë

Ushtria e Kosovës është pajisur me dronët Bayraktar, për të cilët muaj më parë Ministria e Mbrojtjes kishte nënshkruar kontratë me një kompani prodhuese në shtetin e Turqisë.

Siç mëson Telegrafi, dronët kanë arritur gjatë dy ditëve të kaluara në Aeroportin Ndërkombëtar të Prishtinës dhe për këtë kishte edhe prani të shtuar të Forcës së Sigurisë në zonën VIP të Aeroportit.

Lidhur me ardhjen e dronëve në Kosovë kanë shkruar edhe mediat në Turqi. Telegrafi ka tentuar të marrë informata zyrtare nga Ministria e Mbrojtjes, por zyrtarët e kësaj ministrie nuk i janë përgjigjur thirrjeve.

Ndryshe, presidentja e vendit Vjosa Osmani vitin e kaluar kishte vizituar fabrikën e dronëve “Bayrakar”.

“Vizitën në Turqi e fillova në fabrikën për prodhimin e dronëve “Bayaktar”, në Stamboll, e cila është një rrëfim inspirues për arritjet në sferën e avancimit teknologjik dhe inovacionit të ndërlidhur me sektorin e mbrojtjes dhe të sigurisë”, kishte deklaruar Osmani

Edhe ministri i Mbrojtjes, Armend Mehaj gjatë vitit të kaluar kishte realizuar edhe një vizitë në Turqi, ku për së afërmi ishte njoftuar me dronët dhe teknologjinë e fundit që po prodhohen në kompaninë Baykar.

Dronët inteligjentë janë sulmues pa pilotë, që kontrollohen nga një bazë tokësore.

Dronët Bayraktar, TB2, hyjnë në mesin e armëve që kanë qëndrueshmëri të gjatë në lartësi të mesme (MALE), me rekord fluturimi deri në 27 orë e 3 minuta dhe përveç sulmeve të armatosura kanë për funksione kryesore misionet e inteligjencës, vëzhgimin dhe zbulimin.

Ndryshe, edhe një kontrollues i trafikut ajror, Gerjon ka shkruar rreth dronëve Bayraktar.