Dy derbi në Serie A

Xhiroja e dhjetë në Serie A të Italisë, do të përshkohet me dy derbi, ndeshje këto që do t’i lënë nën hije përballjet tjera të vikendit. Kampioni në fuqi, Napoli e pret në shtëpi Milanin, i cili javën e shkuar e humbi vendin e parë në tabelë. Kjo ndeshje, luhet të dielën prej orës 20:45 në stadiumin “Diego Armando Maradona”, ku Napoli synon ta regjistrojë fitoren e gjashtë këtë edicion. Napoli vlerësohet favorit në këtë përballje, ndonëse Milani në pesë ndeshjet e fundit kampionale ka regjistruar katër fitore dhe një humbje. Javën e shkuar u mposht 1:0 në shtëpi nga Juventusi, humbje kjo që i kushtoi me rënie në pozitën e dytë në tabelë.

Aktualisht, Milani ka 21 pikë dhe në derbin ndaj Napolit futet pas dy humbjeve rresht, përfshirë edhe atë në Ligën e Kampionëve nga Paris Saint-Germaini të mërkurën. Në anën tjetër, Napoli në pesë ndeshjet e fundit në Serie A, ka regjistruar tri fitore, një barazim dhe një humbje. Zë vendin e katërt në tabelë me 17 pikë dhe me fitore eventuale në këtë derbi, do t’i afrohej Milanit në vetëm një pikë. Skuadra e Napolit nuk do ta ketë ndihmën e sulmuesit Victor Osimhen për shkak të lëndimit dhe kjo do të jetë një mungesë e madhe për trajnerin Rudi Garcia. Kapiteni i Kosovës, Amir Rrahmani pritet të jetë titullar i padiskutueshëm dhe lider i mbrojtjes së Napolit, ekip që këtë edicion nuk ka pasur një fillim të mbarë në kampionat. Krahas pesë fitoreve, i ka edhe dy barazime e po aq humbje në nëntë ndeshje të luajtura deri më tani në Serie A.

Ndërkohë, këtij derbi, do t’i paraprijë dueli tjetër interesant, në të cilin përballen Interi me Romën. Kjo ndeshje, gjithashtu luhet të dielën, por prej orës 18:00 dhe në stadiumin “Giuseppe Meazza”. Humbja e Milanit në xhiron e shkuar, i ka mundësuar Interit të ngjitet në pozitën e parë në tabelë me 22 pikë të mbledhura, tetë më shumë se Roma që zë vendin e shtatë në tabelë. Megjithatë, Roma i ka fituar tri ndeshjet e fundit kampionale, ndërsa Interi ka dy fitore e një barazim. Fokusi në këtë derbi nuk do të jetë vetëm në fushë, por edhe në tribuna për shkak se tifozët e Interit kanë paralajmëruar një pritje armiqësore për sulmuesin e Romës, Romelu Lukaku. Belgu edicionin e shkuar ishte i huazuar tek Interi, ekip me të cilin në vitin 2021 e fitoi titullin e kampionit të Italisë. Kalimi i tij këtë verë te Roma nuk është pritur fare mirë nga tifozët e Interit. Këta të fundit, kanë paralajmëruar se Lukaku do të vërshëllehet nga 50 mijë tifozë në çdo prekje të topit që do ta ketë në këtë ndeshje. Ai këtë edicion ka shënuar 5 gola në 7 paraqitje për Romën në kampionat dhe pritet të jetë kërcënimi kryesor për portën e Interit, ish-ekipi i tij.

Ndërkohë, Juventusi do ta kërkojë fitoren e radhës në ndeshjen që e luan në shtëpi kundër Veronës. Juventusi që është i treti në tabelë me 20 pikë, luan të shtunën prej orës 20:45 me Veronën, ekip që renditet në pjesën e poshtme të tabelës dhe ka vetëm 8 pikë të mbledhura deri më tani.