Ballina Artikuj Dy fjalë: një për Kryeministrin Rama dhe një për Hoxhallarët

Dy fjalë: një për Kryeministrin Rama dhe një për Hoxhallarët

Sabaudin Jashari

Nga: Sabaudin Jashari

Dy fjalë: një për Kryeministrin Rama dhe një për Hoxhallarët

Protestat një mujore…në Tiranë, tashmë kanë prodhuar edhe një fenomen të ri kryeministror dhe mediatik të çuditshëm si fenomen, dhe të pabesueshëm në aspektin e mosparashikimit të pasojave të rënda.

I çuditshëm si fenomen, të paktën për mua, sepse personalisht e kam të pamundur, duke e vënë veten në vend të Kryeministrit, të imagjinoj se si një Kryeministër mund të sillet dhe komunikojë me figurat fetare apo hoxhallarët në atë mënyrë, edhe si e merr guximin media pro tij (pro qeveritare) t’i linçojë ata në atë mënyrë. Pra, e kam fjalën se gjatë kësaj kohe të këtyre protestave logjikisht i bie që i pari i interesuar për ta pasur mirë me klerikët në përgjithësi dhe Hoxhallarët në veçanti duhet të ishte zoti Kryeministër dhe në shërbim të kësaj duhet të kishte vënë dhe mediat mbështetëse të tij. Arsyet besoj janë shumë të qarta e prej tyre po theksoj tre:

E para sepse muslimanët mbeten pjesa dhe përqindja më e madhe e popullit shqiptar.

E dyta sepse në të gjithë situatat ndikimi i Hoxhallarëve tek kjo shumicë mbetet më i madh se kushdo tjetër.

E treta sepse Hytbeja e Hoxhallarëve (fjalimi i të xhumasë) ndiqet nga mijëra besimtarë drejtpërsëdrejti në xhamia dhe online, si edhe ky fjalim gëzon një vëmendje, konsideratë dhe respekt të veçantë tek besimtarët pjesëmarrës, me detyrim fetar, në këto hytbe.

E megjithë këto arsye të qarta dhe të lehtë kapshme, prapë se prapë kemi të bëjmë me këtë lloj komunikimi linçues kryeministror e mediatik ndaj Hoxhallarëve.

Po të hamendësojmë sado pak do të dalim në konkluzionin se linçimit si strategji i besohet dhe zbatohet në mënyrë të verbër për të dalë nga situata e protestave dhe se verbëria e shkaktuar nga presioni i situatës i mpleksur me disa nuanca arrogance dhe përçmimi, i ka bërë ta përdorin në mënyrë anarkike, ose në mënyrë të “studiuar”, por pa gjetur fuqinë të parashikojnë pasojat dhe të gjykojnë dëmet dhe interesat objektive ndaj këtij rasti, pra protestave dhe të ardhmes së saj.

Ose ka shumë mundësi që këshilltarët, të cilëve mund t’u jetë ngarkuar këshillimi për këto lloj çështjesh, nuk dinë ta bëjnë këtë detyrë mirë ose sepse nuk janë të paguar mirë, ose sepse janë të pa përgjegjshëm, ose sepse qëllimisht duan ta ndezin situatën dhe më keq, sepse këmbët dhe trupin i kanë brenda gjeografisë së Shqipërisë, kurse grazhdin diku tjetër…

S’ka pak minuta që komunikova me njërin prej gazetarëve të portalit prapaskena.com, nga ku e ka marrë shkrimin dhe shqiptarja.com, që ka shkruar dhe komentuar me shumë pakorrektësi dhe papërgjegjshmëri për statuset dhe ligjërimet e Hoxhës së nderuar dhe njeriut të dijshëm Abedin (Rushit) Musallari, dhe të bën realisht çudi të madhe fakti se (shtyp)shkronjësi i atyre rreshtave as nuk e kishte marrë mundimin të pyeste se me kë ka të bëjë dhe kush është ky Hoxhë.

Kurse papërgjegjshmëria mediatike, në rastin më lart, është akoma dhe më lënduese. Kur e pyeta se a nuk e kuptoni se nëpërmjet kësaj shkrimi dhe “analize” keni prekur, indinjuar dhe lënduar me qindra dhe mijëra hoxhallarë dhe besimtarë…u soll sikur po e dëgjonte për herë të parë një pyetje dhe një qasje të tillë.

Për të shkuar drejt fundit të kësaj fjale për fenomenin kryeministror dhe mediatik po theksoj se:

Ky fenomen na kujton dhe na lëndon plagën e vjetër e të re të stigmatizimit dhe të linçimit të klerikëve, dijetarëve dhe Hoxhallarëve nga sistemi shejtanor komunist, i cili duke e ditur mirë peshën e Hoxhallarëve dhe klerikëve në popull filloi masakrimin dhe deformimin e figurës së tyre. Mirëpo kjo na kujton edhe diçka tjetër: kur kjo propagandë e sistemit komunist nuk mjaftoi, ky sistem djallëzor filloi spastrimin fizik të kësaj shtrese me kaq vlerë dhe rëndësi për popullin shqiptar. Pyetja është: a e ka ndëmend Kryeministri Rama të kalojë në fazën e dytë…?! Unë nuk e besoj se ka ndërmend të kalojë atje, por ama në mendjen time këto dy faza janë të pandashme…

I nderuar Zoti Kryeministër, dhe mediat e tij: njerëzia shqiptare realisht është boll e irrituar, veçanërisht të rinjtë e të gjitha moshave dhe shtresave. Këtë e them nga kontakti i vazhdueshëm që kam me njerëzit çdo ditë e çdo natë. Kurse kjo sjellje “kryeministrore” dhe “mediatike” nuk e ndihmon aspak situatën nëse realisht ju intereson lehtësimi i saj. Ju bëj me dije se neve si myslimanë na dhimbset si gjithë të tjerëve, madje dhe më tepër se të tjerëve ky popull, ky vend dhe ky shtet. Theksoj, më tepër, sepse natyrisht jemi pjesa më e madhe e këtij trupi shqiptar. Kurse si Hoxhallarë i bie, natyrisht, të na dhimbset edhe më tepër. Xhamitë nuk kanë qenë dhe nuk do jenë ndonjë herë strehë e dashakeqes ndaj këtij vendi dhe këtij shteti, madje ndaj këtij populli dhe shteti xhamitë bëjnë kontributin më të vyer e më të vlefshëm, e ndër kontributet më të vlefshme është edukimi i brezave të rinj me njerëzillëk, humanitet, dije, shkencë, dhimbsuri e dashamirësi ndaj njerëzisë e robve të Zotit dhe me gadishmërinë për të sakrifikuar dhe jetën në mbrojtje të këtij populli e të këtij atdheu. “Kush vdes në mbrojtje të pasurisë së tij ai është dëshmor”- hadith. Dhe Kjo fe e Madhëruar, Islami, na mëson se pasuria më e madhe është vatani.

Për rrjedhojë i nderuar Zoti Kryeministër ne jemi më të interesuarit për mbarëvajtjen e jetës në këtë vend, për sigurinë dhe prosperitetin e tij se kushdo tjetër. Dhe ju kujtoj Zoti Kryeministër se pasuria më e madhe e një populli janë vetë njerëzit përbërës të tij e nga mesi i tyre janë njerëzit e dijshëm. Siç ju kujtoj se Troja ra pasi trojanët e kishin fituar luftën me grekët, por harruan luftën me veten dhe dehja gjatë argëtimit i bëri të harrojnë “kalin”… .

I nderuar Zoti Kryeministër nëse një pylli ia vret “ujqërit”, qytetin e mbysin dhe e pushtojnë edhe “sorkadhet”……

Konkluzionin ti din ta nxjerrësh vetë i Nderuar Zoti Kryeministër…

Tani disa fjalë për kolegët e mi Hoxhallarë.

Normalisht këtë fjalë e kam më të lehtë pasi dhe vetë jam i tillë, por edhe për faktin se i kanë të qarta shumë prej çka dua të them.

“Allahu i lartëson besimtarët kurse dijetarët në grada dhe më të larta” – Kuran

” Ditën e kijametit zjarri i xhehenemit do të zihet fill me tre kategori…” – Hadith. E njëri prej tyre është një dijetar.

Sa më e rëndësishme apo më e rëndë të jetë një situatë aq më i rëndësishëm, por edhe më delikat bëhet roli i Hoxhallarëve dhe dijetarëve, duke pasur parasysh peshën që ka fjala dhe qëndrimi i tyre.

Nuk ka dyshim se të drejtën për të marrë pjesë në protesta dhe evente të ngjashme me to e kanë dhe Hoxhallarët me cilësinë e qytetarit.

Por në raste të tilla duhet me patjetër që fjalët, prononcimet dhe qëndrimet të jenë të mirëstudiuara dhe mirëkuruara duke pasur parasysh peshën që kanë ata në xhemat në përgjithësi.

Kujtdo mund ti lejohet të dalë në protestë thjesht për hallet e veta dhe të flasë lirshëm e pa teklif, por me Hoxhën ndryshon puna thelbësisht.

Kushdo mund të justifikohet me turmat, pra po dalin të gjithë ‘hajde o burra dhe ne’. Kurse Hoxhallarët duhet të kenë shumë mirë parasysh jo vetëm protestën dhe objektin e saj, por njëkohësisht edhe skenat dhe prapaskenat e saj, pasojat e afërta dhe të largëta të saj, rezultatet e dëshiruara dhe të padëshiruara të saj. A nuk e kemi për detyrë, si Hoxhallarë dhe njerëz të dijshëm, të studiojmë mirë aktualitetin dhe realitetin e çështjes për të cilën duhet të prononcohemi? A nuk refuzoi Imam Maliku t’u përgjigjej tridhjetë e gjashtë pyetjeve, nga dyzet, të ardhura nga Andaluzia, sepse nuk njihte aktualitetin nga ku buronin objektet e atyre pyetjeve.

Në krahun tjetër Imam Ibu Tejmija u burgos mbi katër herë, madje vdiq në burg, për shkak të disa fetvave që dha, edhe pse shumica e kolegëve të tij ishin kundra e për pasojë nxitën kundër tij prijësat memlukë që e burgosën Imam Ibnu Tejmijen. E megjithatë trimërisht nuk u dorëzua.

Por kur mongolët besëprerë e gjakatarë i mësynë botës islame, ishte po prapë Imam Ibnu Tejmija që punoi për ti bashkuar myslimanët nën drejtimin e prijësve memlukë, që e kishin burgosur këtë Imam të nderuar, sepse tashmë interesi ishte shumë më i madh, ishte interes kombëtar e përtej kombëtar, dhe nuk ishte koha për inate personale dhe interesa të ngushtë personal.

Ne si Hoxhallarë sfidën më të madhe, historikisht, nuk e kemi pasur tek dija në vetvete, por tek durimi për të zbatuar rigorozisht metodën e zbritjes në teren të kësaj dije, me masën e duhur, në kohën dhe vendin e duhur, dhe duke marrë në konsideratë dhe pasojat dhe efektet e aplikimit të kësaj dije në realitet.

Dhe historia vërteton se të përjetshëm në ndikimin pozitiv, prej dijetarëve dhe Hoxhallarëve, kanë mbetur pikërisht ata që kanë ruajtur me besnikëri të paluhatshme trinomin metodik: sinqeritet, dije, metodë e studimit të thellë dhe gjithëpërfshirëse e aktualitetit ku duhet të zbatohet, zbritet dhe implementohet kjo dije.