Të nderuar besimtarë!
Ju që iu përgjigjët thirrjes dhe urdhrit të Allahut, duke u rreshtuar sup më sup në safet e xhamive! Qoftë e bekuar xhumaja jonë! Paqja, mëshira dhe begatia e Allahut qofshin mbi ne!
Sot është ditë e xhuma; dita më e dobishme dhe më e mbarë mbi të cilën lind dielli.[1] Sot është ajo ditë e bekuar kur ne gjendemi përpara Madhështisë së Krijuesit tonë, ku të gjithë së bashku ngremë duart drejt Tij në lutje e përgjërim, duke kërkuar falje, dritë dhe mëshirë për gabimet tona.
Sot është dita e festës sonë javore, një çast ku forcojmë unitetin dhe vëllazërinë tonë, si dhe ndajmë së bashku problemet e shqetësimet, gëzimet e lumturitë. Kjo është dita e ringjalljes sonë shpirtërore, kohë kur pastrojmë zemrat nga ankthet e kësaj bote kalimtare dhe i dorëzohemi qetësisë dhe paqes.
Besimtarë të dashur!
Dita e xhuma mbart me vete përgjegjësi dhe detyrime të veçanta që çdo mysliman është i ftuar t’i përmbushë. Kryesorja ndër to është falja e namazit të xhumasë. Ky namaz është një adhurim i jashtëzakonshëm, të cilit Allahu (xh. sh.) i ka kushtuar vëmendje të posaçme në Kuranin Fisnik. Përmes vaazit, hutbes dhe vetë namazit, dita e xhumasë na pastron nga gabimet e mëkatet, na orienton drejt së mirës e dobisë, si dhe na pajis me dije, urtësi e dritë shpirtërore. Ajo na bashkon rreth vlerave të larta që mbajnë në këmbë jetën tonë shoqërore. Prandaj, çdo besimtar që dëshiron të përfitojë nga kjo kohë e shenjtë, duhet t’i lej mënjanë angazhimet e kësaj bote dhe t’i përgjigjet ftesës së Zotit të Gjithësisë. Ai duhet të marrë abdest me kujdes e përkushtim, të veshë rrobat e tij më të pastra e serioze, të parfumoset këndshëm dhe t’i drejtohet herët xhamisë. Kur të mbërrijë në xhami, si një mik i nderuar në shtëpinë e Allahut, ai duhet t’u përmbahet rregullave të mirësjelljes së xhamisë; t’i dëgjojë me përulësi e përqendrim të plotë ajetet që lexohen, ligjëratat që mbahen dhe këshillat që jepen.
Besimtarë të nderuar!
Një tjetër detyrë e rëndësishme për myslimanët ditën e xhumasë është dëgjimi i hutbes. Hutbeja është si një zë që na vjen nga Pejgamberi ynë i nderuar; ajo na kujton urdhrat dhe ndalesat e Zotit tonë të Madhëruar. Ajo e fton njerëzimin në rrugën e Allahut, në dritën e Islamit dhe në moralin e bukur të Profetit tonë të dashur (s.a.s.). Hutbeja është kusht kryesor për namazin e xhumasë. Pa u lexuar hutbeja, nuk ka namaz xhumaje. Prandaj, ajo duhet dëgjuar me të njëjtin respekt dhe përqendrim sikur të ishim duke u falur. Për këtë arsye, gjatë kohës që imami mban hutben, nuk flitet me zë. Nuk jepet dhe nuk kthehet selam. Nuk duhet të merremi as me telefonat celularë. Profeti ynë (s.a.s.) na kërkon të jemi aq të vëmendshëm, saqë thotë se nuk duhet t’i themi as “pusho!” dikujt që flet pranë nesh ndërsa imami mban hutben.[2]
Besimtarë të dashur!
Në ajetin kuranor që lexuam në fillim të hutbes, Allahu (xh.sh.) thotë: “O besimtarë, kur të thirreni për (të falur) namazin (e xhumasë) në ditën e premte, nxitoni për ta përmendur Allahun dhe pezulloni tregtinë! Kjo, që ta dini, është më mirë për ju!”.[3] Prandaj, nëse nuk kemi një arsye shumë të fortë e të pranueshme nga feja, asnjëherë mos ta lëmë pas dore namazin e xhumasë. Ky namaz është tregues i dorëzimit tonë ndaj Allahut dhe shenjë e unitetit e vëllazërisë sonë. Le t’i mësojmë fëmijët dhe të rinjtë tanë me namazin dhe xhaminë, duke u folur me fjalë të bukura e me ëmbëlsi. T’ë sillemi me ta me dashuri e dhembshuri. Edhe oraret e punës, të mësimeve apo të provimeve, le t’i planifikojmë sipas kohës së namazit të xhumasë. Mos të harrojmë se namazi i xhumasë është një adhurim që Allahu e ka bërë farz. Pa marrë parasysh arsyen, t’i privosh besimtarët nga ky adhurim i veçantë ose t’i detyrosh ata të zgjedhin mes besimit të tyre dhe punës, është një mëkat i madh dhe një përgjegjësi e rëndë përpara Zotit.
Hutben po e përfundojmë duke përcjellur këtë paralajmërim të Pejgamberit tonë të nderuar (a.s.) ku thotë: «مَنْ تَرَكَ ثَلَاثَ جُمَعٍ تَهَاوُنًا بِهَا طَبَعَ اللَّهُ عَلَى قَلْبِهِ» “Kushdo që e nuk e vlerëson dhe e lë namazin e xhumasë tri herë rresht, Allahu ia vulos zemrën e tij”.[4]
[1] Muslimi: Xhuma’, 18.
[2] Muslimi: Xhuma’, 11.
[3] Xhuma’: 9.
[4] Ibn Maxheh: Ikamet, 93.








