Dy lojtarë të Real Madridit refuzuan të gjuajnë penalltinë ndaj Cityt

Davide Ancelotti, djali dhe asistenti i trajnerit Carlo Ancelotti, ka shpjeguar në detaje se si vendosën për pesë ekzekutuesit e penalltive në ndeshjen ndaj Manchester Cityt, ndërsa ka zbuluar se dy lojtarë refuzuan të godisnin penalltitë për arsye të ndryshme.

Real Madridi u kualifikua në gjysmëfinale të Ligës së Kampionëve pasi eliminoi Cityn me penallti.

Davide Ancelotti ka zbuluar se Federico Valverde dhe Eder Militao kërkuan të mos gjuanin 11-metërsh.

“Kur kishin mbetur pesë minuta nga fundi i shtesës së dytë, nisa të mendoj. Jude Bellingham, Luka Modriq, Lucas Vazquez ishin zgjedhjet e mia, dhe Nacho kishte eksperiencën dhe e pamë se mezi priste të godiste. Dhe Antonio Rudiger është lojtari tjetër me eksperiencë. Valverde ishte gjuajtësi i pestë i penalltisë, por ai më tha se ishte shumë i lodhur dhe e vërteta është që ai vrapoi shumë, kështu që vendosem për Rudigerin. Militao kërkoi gjithashtu të mos gjuante pasi tha se portieri i Cityt, Ederson, e njeh shumë mirë”, ka shpjeguar Davide.