Ballina Artikuj Dy modele përballë: Absolutizmi dhe Pluralizmi në Islam

Dy modele përballë: Absolutizmi dhe Pluralizmi në Islam

Hoxhë Halil Avdulli

▪️Në historinë islame ka një debat interesant mes një dijetari që përfaqësonte anën e ithtarëve të kuptimit strikt, fjalë për fjalë të teksteve, dhe nga ana tjetër një grupi dijetarësh që i lexonin tekstet më thellë.

Ky dijetar arriti në pikën që çfarë thoshte ai ishte “sunneti i pastër”. Të tjerët i thanë: shpalle se këto janë vetëm bindjet e tua dhe të shkollës së mendimit që ti i përket, dhe jemi në rregull.

Por ai nguli këmbë se kështu duhet të jetë besimi i gjithë muslimanëve dhe mbi këtë bazë duhej matur besimi i tyre.

▪️Edhe sot përballemi me të njëjtin fenomen: disa rryma e shpallin veten si përfaqësuesit e së vërtetës dhe të sunnetit, ndërsa të tjerët i etiketojnë si esharij, xhehmij, mohuese, modernë, filozofë, bidatçinj, e ku ta dish çfarë tjetër…

Krahasoni këtë ngjarje me atë të mëparshmen!

Kur halifi abasid El-Mensuri pa se “el-Muvatta” ishte një përmbledhje shumë e fuqishme e haditheve dhe mendimeve juridike të Medinës, propozoi që kjo vepër të shpallej ligji unik dhe zyrtar i të gjithë muslimanëve – pra, të unifikonte ligjin islam vetëm mbi bazën e saj.

Imam Maliku, duke qenë se ishte autori, refuzoi dhe tha diçka me këtë kuptim:

“Mos ua impononi këtë libër njerëzve, sepse para se të arrijë ky te ju, ata kanë dëgjuar edhe hadithe të tjera dhe kanë ndjekur dijetarë të ndryshëm. Lërini muslimanët me lirinë e tyre, secili me atë që i ka arritur.”

▪️Imam Maliku nuk pranoi që interpretimi i tij të bëhej “unik për gjithë muslimanët”, sepse e kuptoi se uniteti i umetit nuk ndërtohet duke uniformizuar mendimin juridik, por duke respektuar shumësinë e interpretimeve brenda kornizës së Islamit.

Në epokën postmoderne, ku diversiteti kulturor dhe shpirtëror është bërë normë, Islami nuk mund të paraqitet si një projekt i ngushtë uniformizues. Forca e Islamit qëndron pikërisht në aftësinë e tij për të jetuar me pluralizëm të brendshëm dhe të jashtëm.

Mësimi i Imam Malikut është një thirrje për kohën tonë:

👉Mos e ngushtoni fenë në kornizat e një interpretimi të vetëm.

👉Mos e shihni dallimin si kërcënim, por si pasuri.

👉Mos e ndërtoni unitetin mbi uniformitetin, por mbi respektin dhe dialogun.

▪️Është me rëndësi ta kuptoni natyrën e fesë sonë: gjithmonë ka ekzistuar pluralizëm shkollash dhe traditash. Imponimi i një teksti si burim unik normativ do ta shndërronte Islamin në një lloj papati me një “autoritet suprem” mbi të gjithë të tjerët – gjë që bie ndesh me vetë natyrën e fesë sonë.

Hoxhë Halil Avdulli